.
×

Kryetari i LDK’së thotë se Veriu po lihet qëllimshëm jashtë ligjit për pazare territoriale me Serbinë



Isa Mustafa ka kërkuar zgjedhje të reja në katër komunat veriore të Kosovës ku kryetarët kanë dhënë dorëheqje. Shefi i LDK’së ka thënë se Qeveria e Kosovës s’po i shpallë zgjedhjet e reja dhe po e lë këtë pjesë jashtë ligjit. Ka thënë se një situatë e tillë po lihet qëllimshëm për të përgatitur pazare territoriale me Serbinë.

“Konservimi i gjendjes në veri jashtë komunikimit me institucione qendrore, frikësohem se është akt i paramenduar për pazare territoriale me Serbinë, për çfarë LDK nuk pajtohet dhe nuk do të pajtohet me asnjë kusht”, ka shkruar

Ish-Shefi i Qeverisë ka thënë se mungesa e komunikimit të komunave me institucionet qendrore përbën shkelje ligjore e kushtetuese.

“Si Kryetar i LDK-së dhe qytetar i Kosovës pyes institucionet përgjegjëse të vendit, Presidentin, Kuvendin, Qeverinë, institucionet e drejtësisë: a po ushtrohet sovraniteti shtetëror në komunat Leposaviç, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, në një sipërfaqe prej 1005 km katror, (jo hektar) të cilat përbëjnë 10% të territorit të Kosovës? Në fund të nëntorit kryetarët e këtyre komunave deklaruan se dorëhiqen dhe e ndërprejnë komunikimin me Prishtinën (organet qendrore)”, ka shtuar ai.

Lideri i LDK’së ka pyetur Qeverinë nëse këto komuna po vazhdojnë të financohen nga Qeveria, kush po i mbikëqyr si dhe si po funksionojnë prokuroritë e gjykatat në Veri.

“Pse nuk po shpallen zgjedhjet për kryetarë të këtyre komunave”’, ka pyetur Shefi i LDK’së.

Mustafa ka thënë se arsyetimi i Qeverisë se komunat nuk iu kanë referuar Kosovës si Republikë nuk është arsyetim për mos t’u shpallur zgjedhjet e reja.

“Arsyetimi se kryetarët e këtyre komunave iu janë drejtuar institucioneve të Kosovës me Kosovë e Metohi, nuk justifikon heshtjen e Qeverisë dhe ministrisë përgjegjëse. Në të kundërtën, ata do të duhej të shkarkohen për faktin se nuk po e pranojnë Republikën e Kosovës, në të cilën kanë konkurruar për kryetarë të komunave. Në këtë rast institucionet po e shkelin ligji.”, ka shtuar ai.