.
×

Kryetari i FFK-së akuzohet për një vepër të rëndë



Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi akuzohet nga prokuroria se kërcënoi me jetë një person.

Në gjykimin ndaj kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademit dhe Muharrem Ramës, të akuzuar për veprat penale të detyrimit dhe ushtrimit të ndikimit në lidhje me ndryshimin e statusit të një ngastre të tokës, Prokuroria kërkoi kohë për verifikimin e provave të propozuara në aktakuzë.

Aktakuzën në lidhje me këtë rast e kishte ngritur Prokuroria e EULEX-it, ndërsa tash është duke e përfaqësuar prokurori Feti Tunizliu, shkruan KALLXO.

Kjo seancë gjyqësore filloi me një orë vonesë pasi që sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Valbona Selimaj, prokurori i çështjes kishte qenë i zënë në një gjykim tjetër prandaj është dashur të pritet deri sa ai të lirohet. Pasi që prokurori erdhi në sallë, ku të pranishëm ishin të akuzuarit me mbrojtësit e tyre, trupi gjykues nuk ishte në përbërje të plotë.

Në sallë të Gjykatës nuk ishte e pranishme gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, të cilën u desh ta presin për disa minuta. Pasi që hyri në sallë, gjykatësja kërkoi falje nga të pranishmit, e vonesën e arsyetoi me faktin se kishte qenë në një takim me kryetaren e Gjykatës.

Më pas shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me administrimin e provave. Prokurori Tunizliu gjatë deklarimit në lidhje me provat e propozuara për administrim, Gjykatës i propozoi një pjesë të prova për të cilat tha se përbëjnë raporte policore në lidhje me masat e fshehta të përgjimit ndërsa për pjesën tjetër të provave kërkoi kohë që t’i verifikojë ato fillimisht e më pas t’i paraqes para Gjykatës.

“Të gjitha raportet që janë marrë nga raporti policor hetues në lidhje me hetimin e masave të fshehta ato i propozoj që të administrohen si prova por meqë lënda është voluminoze e trashëguar nga EULEX-i deri te raporti lidhur me referencën… e cila mban datën 3 tetor 2012, ndërsa të gjitha raportet e tjera të përfshira deri në fund të faqes 15 nuk kam mundur që t’i verifikoj andaj mbi këto i propozoj Gjykatës që mbi këtë pjesë të mos i administrojë”, tha prokurori.

Mbi këtë bazë prokurori kërkoi nga Gjykata që të shtyjë seancën e sotme në mënyrë që ai të ketë kohë të bëjë verifikimin e këtyre provave.

“Kërkoj që kjo seancë të shtyhet për një datë tjetër që në ndërkohë unë t’i gjej dhe t’i identifikoj/verifikoj këto prova. Çfarë prova janë dhe ku janë”, tha prokurori. E këto prova të cilat janë të propozuara në aktakuzë e të cilat prokurori i propozoi që të administrohen nga Gjykata, i kundërshtuan mbrojtësit e të akuzuarve.

Sipas mbrojtësit të Muharrem Ramës, avokatit Ramiz Krasniqi, raportet lidhur me masat e fshehta të përgjimit nuk mund të jenë prova dhe nuk mund të lexohen si të tilla. Ai tha se ato mund t’i shërbejnë prokurorit vetëm me rastin e ngritjes së aktakuzës.

“Problemi është raportit a mund t’i jepet cilësimi i provës.. Më duket që tendenca e Prokurorit që raporteve të caktuara t’i jepet cilësia e provave nuk ka sukses sepse raportet janë vetëm indice për fillimin e një hetimi e nuk janë prova”, deklaroi avokati Krasniqi.

Më pas trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësja Valbona Selimaj si dhe në përbërje të Vesel Ismajlit dhe Naime Krasniqi-Jashanicës vendosën që seanca e sotme të shtyhet për një datë tjetër duke e obliguar prokurorin që edhe një herë t’i specifikojë një për një të gjitha provat e propozuara në aktakuzë.

Aktakuza përbëhet nga dy pika. Në pikën një të aktakuzës Agim Ademi e Muharrem Rama akuzohen se në periudhën kohore nga 12 korriku i vitit 2012 e deri më 12 shtator të po të njëjtit vit, në bashkëkryerje dhe me dashje të përfitimit material për veten e tyre apo për personin tjetër, kanë përdorur kërcënimin serioz me marrje jete në atë mënyrë që sipas Prokurorisë i akuzuari Muharrem Rama e ka sulmuar fizikisht viktimën Dritëro Kadolli që ta detyrojë atë që të bëjë një veprim në dëm të pasurisë së tij, respektivisht t’ua jep atyre një veturë të tipit BMË X5, veturë e cila më pas pretendohet se do t’i dorëzohej Sami Hamitit.

Tutje në pikën e dytë të kësaj aktakuze thuhet se të akuzuarit e lartpërmendur gjatë periudhës së njëjtë kohore në bashkëkryerje kanë kërkuar nga Dritëro Kadolli shumën prej tridhjetëmijë eurove apo një veturë të tipit BMW X5, në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, që të ndryshojë statusin e një ngastre toke nga “zona e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.