.
×

Kryeprokurori: Është keqkuptim, zhytësi Ismail Kasumi s’është i dyshuar për rrahje të gruas



Prokuroria Themelore e Prishtinës e ka demantuar informacionin e lëshuar se zhytësi i njohur Ismail Kasumi është përfshirë në një rrahje.

Mëngjesin e sotëm, u.d i kryeprokurorit Kujtim Munishi dhe prokurori kujdestar i cituar me leje të tij, Ali Ajdini, kanë lëshuar një informacion të pasaktë për zhytësin e njohur kosovar Ismail Kasumi. Pas daljes së këtij informacioni kryeprokurori Munishi ka kontaktuar Gazetën Express, ku sqaron se në rrahje është përfshirë një person që ka emrin dhe mbiemrin e njëjtë me të zhytësit.

Munishi thekson se kjo situatë është keqkuptuar dhe ështe e paqëllimshme.

Prokuroria ka gjetur se bëhet fjalë për një person tjetër (që ka identitetin e njejtë me të zhytësit) por jo për zhytësin e vërtetë, Ismail Kasumin.

Kryeprokurori thotë se nuk ka pasur dijeni për rastin dhe se prokurori kujdestar është marrë me këtë rast.

“Unë nuk ia përmenda atij (prokurorit) zhytësin . Unë ia përmenda me emër dhe mbiemër. Ai ishte një person i tretë krejt. Unë absolusisht e dija njejtë sikur ti. Se unë me emër dhe mbiemër e pyeta. Edhe prokurori ma konfirmoi me emër e mbiemër…Unë duke mos e ditë situatën se prokurori kudjestar është marrë me atë”, thotë Munishi.

Kryeprokurori Munishi edhe njëherë thekson se gjithçka ka qenë e paqëllimshme.

“Unë e pyeta me emër dhe mbiemër. Ai më tha po e kemi pranu. Nuk na ka ndodhë as neve. Po është bërë një keqkuptim. Ka qenë pa asnjë qëllim”, tha Munishi.

Ndërkohë për Express, zhytësi Ismail Kasumi është shprehur se nuk dëshiron që të diskutojë lidhur me këtë informacion të pasaktë dhe se me lëndën tashmë do të merret gjykata.

“Nuk kam se çka te them. Do të merret Gjykata”, ka thënë Kasumi.

Gazeta Express i kërkon falje publike z. Ismail Kasumi pasi ka rënë në lajthitje te Prokurorisë, e cila ka dhënë informacione të pasakta lidhur me zhytësin e njohur që ka shpëtuar mijëra jetë.