.
×

Kryeministri përmend motivet e mundshme të vrasjes së Ivanoviqit



Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se ekzistojnë disa motive të mundshme të vrasjes së liderit të Iniciativës Qytetare SDP, Olliver Ivanoviq, por ka shprehur bindje se vrasja e liderit serb të Kosovës nuk është bërë nga shqiptarët.

Në një interivstë për Televizionin Kombëtar të Kroacisë – HRT, Haradinaj deklaroi sot se vrasja e Ivanoviqit është një tragjedi.

 

“Është një ngjarje e keqe, një tragjedi në këtë rast. Ne jemi të interesuar ta zbardhim këtë vrasje”, tha Haradinaj, raporton Insajderi. “Mund të jetë [vrasje] e të gjitha motiveve: edhe politike edhe atyre të krimit, por nuk është ndëretnike”.

 

Haradinaj komentoi edhe vizitën e djeshme në Kosovë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Shefi i qeverisë kosovare tha se presidenti serb është treguar i arsyeshëm në vizitën e tij.

 

“Mendoj se ka një realizëm më të madh dhe një stabilizim të retorikës mes Kosovës dhe Serbisë. Pra dje presidenti i Serbisë Vuciq ka qenë i arsyeshëm”, deklaroi Haradinaj.

 

Duke folur për veriun e Kosovës, Haradinaj tha se “Kosova është stabile”.

 

Ai deklaroi se Kushtetuta e Kosovës zbatohet edhe në veri. “Atje ka qenë një gjë më jo formale në ekonomi dhe procese të tjera, por po stabilizohet ajo pjesë”, tha kryeministri i Kosovës.