.
×

Kryeministri Isa Mustafa: Kosova e përkushtuar në proceset integruese në BE



Botapress,4 Nëntor

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim drejtoreshën për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në BE, Angelina Eichhorst.

 

Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm dhe ministrja Edita Tahiri dhe ministri Bekim Çollaku, kryeministri Mustafa theksoi progresin e vazhdueshëm që po arrihet në Kosovë, dhe përkushtimin e posaçëm të Qeverisë së Kosovës për avancimin e proceseve integruese evropiane.

 

Kryeministri Isa Mustafa, falënderoi BE-në dhe të gjitha vendet anëtare të saj për mbështetjen e dhënë për Kosovën, veçmas për finalizimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, që u nënshkrua në Strasburg më 27 tetor, e cila u ratifikua në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

 

“Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është e arritur e madhe për Kosovën, pasi që hap një perspektivë të re për Kosovën në të gjitha fushat, në zhvillimin ekonomik, në zhvillimin e demokracisë dhe të gjitha komponentëve të saj, si dhe është hap i rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt BE-së, duke vendosur marrëdhëniet kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe BE-së”, tha kryeministri.

 

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, theksoi se tashmë Qeveria e Kosovës pret vendimin pozitiv të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

 

Duke folur për prioritetet aktuale të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin e plotë në zhvillimin ekonomik, tërheqjen e investimeve, hapjen e vende të reja të punës dhe mirëqenien sociale të qytetarëve të Kosovës.

 

Drejtoresha për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në BE, Angelina Eichhorst, vlerësoi të arriturat në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtejme të BE-së për Kosovën, në proceset integruese.

 

Gjatë takimit, është biseduar edhe për relacionet e BE-së me Kosovën, të arriturat në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga BE-ja, si dhe për proceset tjera në Kosovë, siç është nevoja e stabilitetit politik për të çuar përpara agjendën integruese dhe zhvillimore të Kosovës.

Për më shumë lajme, bëjeni Like duke klikuar këtu