.
×

Kriza poltike i lë bujqit pa subvencione



Kriza politike dhe pamundësia për rishikim të buxhetit ka lënë një numër të madh të bujqve pa i marrë paratë që u takojnë nga subvencionet që i ndan Ministria e Bujqësisë. Bujqit kanë thënë të mos kenë pasur ndonjëherë problem me marrjen e subvencioneve, përderisa këto vonesa kanë shkaktuar probleme të mëdha për ta.

Liridon Podvorica ka disa muaj që ka kryer korrje-shirjet e grurit dhe të misrit, por subvencionet për të cilat kishte konkurruar në Ministrinë e Bujqësisë nuk i ka marrë ende, raporton KTV.

Këtë vit ai ka mbjellë 5 hektarë me grurë dhe misër. Për shkak të problemeve me gjetjen e tregut, Liridoni nga 2011 ka ulur hektarët e mbjellë.

Mungesa e sigurimit të kulturave bujqësore, të cilat këtë vit janë dëmtuar së tepërmi, është në dilema nëse do të merret me bujqësi edhe vitin e ardhshëm, ani pse ka investuar shumë në blerje të pajisjeve bujqësore.

Edhe Rrahman Qerkezi nga Obiliqi ka konkurruar për të marrë subvencione, siç ka bërë edhe disa vjet me radhë. Ai ka thënë se viteve të kaluara gjatë kohës së korrje-shirjes janë dhënë subvencionet për grurin.

Por, ndryshe nga Liridoni, Rrahmani i ka shuar shpresat se do të marrë paratë që u takojnë nga subvencionet për shkak të mos konstituimit të institucioneve.

Zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kanë thënë se kriza aktuale politike ka bllokuar dhënien e subvencioneve.

“Për shkak të bllokadës politike që opozita ka krijuar në konstituimin e Kuvendit, nuk ka mundur të bëhet rishikimi me të cilin do t’i ndaheshin ministrisë rreth 6 milionë euro, siç ka qenë e planifikuar. Posa të alokohen këto mjete, do të paguhen menjëherë edhe subvencionet e mbetura”, ka thënë Adil Behramaj, këshilltar politik në Ministrinë e Bujqësisë.

Ministria e Financave u ka bërë me dije të gjitha organizatave buxhetore që në mungesë të rishikimit të buxhetit, ato mund t’i ndërrojnë linjat buxhetore nga buxheti i aprovuar, por nuk do të mund të kenë asnjë buxhet shtesë.

Vlera e buxhetit të ndarë për subvencionim të bujqve është rreth 28 milionë euro, kurse numri i bujqve që kanë aplikuar për subvencionim arrin në 35 mijë.