.
×

Kriza politike aktuale, përvojë  e vlefshme e shtetndërtimit  



 

nehat hyseni

                                                                                                 Shkruan: Nehat Hyseni

 

Kriza e tejzgjatur  institucinale e politike që tani më ka hyrë në muajin e pestë, ka shkaktuar  shumë dëme në ekonominë dhe në sektore të ndryshme të jetës institucionale në Kosovë.

Disa nga ato dëme dhe pasoja negative, ndoshta do të mund të riparohen, por pjesa më e madhe e tyre, mjerisht, do të ndihen gjatë kohë, meqë vështirë mund të evitohen.  “Fëmijëria” e shtendërtimit të Republikës së Kosovës i ngjanë sëmundjeve fëmirore të njeriut, meqë mund ta godasin në periudhën e brishtë të fillimeve të shtetëndërtimir dhe të zhvillimit.

Kështu psh, sikur që foshnjet dhe fëmijtë, sidomos në moshën e herëshme i sulmojnë sëmundjet e fruthit, lia e qenit dhe një mori sëmundjesh të tjera, që përpara kanë bërë kërdinë mbi popullatën e pambrojtur dhe të paaftë për tejkalimin e sfidave të tilla.

Edhepse ndoshta nuk mund të bëhen krahasime të tilla, megjithatë këtë e bëra sa për të qartësuar momentumin politik aktual që aktualisht na duket si pa rrugëdalje.

Por, përveç dëmeve dhe pësimeve eventuale, që llogaritet se mund të jenë të mëdha, mendoj se, megjithatë, nga kjo situatë Republika e Kosovës do të del me përvoja të vyeshme dhe mësime të domosdoshme, edhepse (ndoshta) kostoja do të jetë tepër e lartë.

Cilat do të jenë dobitë dhe mësimet nga kriza politike aktuale?

E para e punës, është çështja defekteve dhe mangësive juridike të Kushtetutës së Kosovës.

 Po të mos shkaktohej kriza politike aktuale, ato  sigurisht se nuk do të vëreheshin, por që do të mund të shfaqeshin në të ardhmen, ndoshta edhe më keq se tani.

Prandaj, tani kemi mësuar se si duhet hartuar Kushtetuta dhe ku janë dobësitë dhe mangësitë e saj dhe mazhoranca që do ta qeverisë  vendin, do ti qaset menjëherë ndryshimit dhe amendamentimit të saj, duke i inkorporuar zgjidhjet që do i eliminonin mangësitë që mundësuan këtë krizë.

Pastaj, nga kjo krizë do ta kemi një maturim apo pjekuri më të madhe politike që konsiston në grupime politike bipolare, apo dypalëshe, si dy pole politike rivale, për dallim të mishmashit dhe parcializimit të opsioneve politike në shumë parti ose grupime politike konkurrente.

Ashtu si është në Amerikë, ku garojnë dy opsione (Republikanët dhe Demokratët), në shqipëri PD dhe PS, etj., edhe në Kosovë, për dallim nga kohërat e mëherëshme, aktualisht kemi dy grupime politike,

 Pra, do të dalim nga kjo krizë politike me përvoja të reja të spektrit tonë politik.

Ma merr mendja se kjo do të sjellë dispiplinim të skenës garuese të politikës kosovare, meqë programet politike të shumë partive politike që shpalosen gjatë fushatave parazgjedhore duken joserioze dhe më tepër i ngjajnë regjistrit të dëshirave se sa programeve pragmatike që do e ndryshonë realitetin politik, për

shkak të pamundësisë së qeverisjes pa grupime apo koalicione politike që arrijnë shumicën absolute, si parakusht për marrjen e pushtetit dhe qeverisjen e vendit.  

 Zbatimi i programeve politike dhe premtime e parazgjedhore, në kushtet e copëzimit të spektrit politik në shumë opsione dhe një mori partishë të vogla, bëhej e pamundur për tu kontrolluar nga votuesit, meqë përgjegjësia politike ishte tejet disperzive, e fragmentarizuar dhe faji për dobësitë dhe gabimet e qeverisjes

shpërndahej në shumë subjekte politike.

Për këtë arsye, kjo krizë politike paraqet një përvojë të domosdoshme, nga e cila do të dalim më të ditur dhe më të fortë.  

Urojmë që kostoja e këtyre mësimeve  nga pësimet dhe pasojat të mos jetë tepër e lartë.

 Prandaj, na nevoitet shumë durim dhe urtësi për tejkalim sa më të suksesshëm të krizës dhe sfidave politike aktuale, për të ndërtuar një të ardhme sa më të mirë të shtetndërtimit dhe pjekurisë së politikbërjes së forcave politike dhe shoqërisë së Kosovës.

Rrjedhimisht, edhe poqese  nuk arrihet ndonjë marrëveshje politike për tejkalumin e krizës politike aktuale dhe shpallen zgjedhjet e jashtëzakonëshme parlamentare, koalicionet e ardhëshme parazgjedhore do të kenë pakë a shumë pamjen e dy blloqeve politike.

Natyrisht, me shumë pak ndryshime, sepse edhe fushata parazgjedhore për zgjedhjet e parakohëshme parlamentare kishte një agjendë kryesore, heqjen e (keq) qeverisjes Thaçi, të cilën nuk mundën ta realizojnë asnjëra parti politike si e vetme.  

Edhepse shpresoi shumë LDK se do ta arrijë këtë, megjithatë as ajo nuk ia doli. Prandaj, ajo u detyura të bëjë koalicion paszgjedhor me AAK-në dhe Nismën dhe më pas edhe me Lëvizjen Vetëvendosje, duke krijuar Koalicionin LVAN.

Prandaj, koalicionet e ardhëshme për zgjedhjet eventuale të jashtëzakonshme parlamentare, mendoj se edhe ato do të  kenë këtë përbërje: PDK me AD-në e Edita Tahirit dhe PD-në, eventualisht edhe AKR-në e Behgjet Pacollit,  PL e Gjergj Dedajt dhe me PSD-në e Agim Çekut.

 Kurse, koalicionit aktual LDK, Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, do të mund t’i bashkëngjitej eventualisht PD dhe AKR. Në atë rast, ndoshta AAK do mund t’i bashkëngjitej PDK-së (?).

Por, gjithësesi do të kishim vetëm dy blloqe politike, dhe ndoshta do të zvogëlohej diferenca e tanishme midis tyre, apo do të rritej edhe më tepër, varësisht  nga përcaktimet e AKR-së dhe PD-së, që mund t’i bashkëngjiten njërit apo tjetrit bllok.

Zgjedhjet e jashtëzakonëshme parlamentare, ndoshta do të mund ta sfidonin edhe Koalicionin paszgjedhor LVAN, meqë do të ndryshonte marrëveshja aktuale për postin e kryeministrit. LDK zor se do t’ia lëshonte këtë post AAK-së, sepse ekziston mundësia reale se do të humbëte shumë nga pakënaqësitë reale të votuesve që do të mund t’ia zvogëlonte mbështetjet tek elektorati i vet.

Por, megjithatë fitorja shpresoj se do t’i takoj Koalicionit LVAN, e cila do ta arrijë shumicën absolute, meqë (keq)qeverisja e pushtetmbajtësve aktualë ka krijuar qëndrim negativ tek votuesit, të cilët gjithësesi do të jenë më të disponuar për të votuar për ndryshimin e pushtetit aktual.