.
×

Kriza në vend, Jahjaga anulon vizitën e tretë, kësaj radhe edhe një takim me kancelaren Merkel



Presidentja e Kosovës e ka anuluar vizitën e tretë jashtë Kosovës shkaku i krizës aktuale politike, përfshirë edhe një takim të mundshëm me kancelaren gjermane, Angela Merkel në Bruksel.

Burime të gazetës Tribuna bëjnë të ditur se presidentja Atifete Jahjaga ka qenë e ftuar nga qeveria belge që të marrë pjesë në shënimin e 100 vjetorit të fillimit të Luftës së Parë Botërore, mirëpo kjo vizitë tash është anuluar, për shkak të krizës së thelluar politike në Kosovë.

Zëdhënësi i presidentes, Arbër Vllahiu e ka konfirmuar këtë informacion për Indeksonline.

“Për shkak të krizës së thelluar në Kosovë Presdientja Jahjaga ka anuluar vizitën në Belgjikë, ku është ftuar të marrë pjesë nga qeveria belge në komemoracionin e organizuar për shënimin e 100 vjetorit të fillimit të Luftës së Parë Botërore, të betejës në Ypres dhe rolit të Mbretit Albert. Në këtë komemoracion marrin pjesë udhëheqës të lartë shtetërorë nga vendet të ndryshme të botës dhe Kosova është nderuar në mesin e të gjtiha vendeve të tjera”, ka thënë Vllahiu për Indeksonline.

Në këtë ngjarje do të marrin pjesë edhe liderë të ndryshëm botërorë, ndërsa ka qenë i mundshëm edhe një takim në mes të Presidentes Jahjaga dhe kancelares gjermane, Angela Merkel.
Të gjitha janë hedhur poshtë, pasi presidentja Jahjaga është detyruar të mos bëj asnjë udhëtim shkaku i angazhimeve për gjetjen e zgjidhjes së krizës politike.

“Gjatë vizitës në Belgjikë Presidentja Jahjaga ka qenë e paraparë të takohet edhe me zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian. Për shkak të gjendjes së krijuar në Kosovë, kjo është vizita e tretë e anuluar e Presidentes Jahjaga vetëm gjatë muajit tetor”, ka thënë Vllahiu më tej për Indeksonline.

Presidenca dhe zyrtarë të ndryshëm ndërkombëtarë rregullisht kërkojnë nga partitë politike që të bëjnë kompromis pasi kriza politike po e dëmton Kosovën në shumë aspekte.

Anulimi i vizitës së Tina Kaidanowit, Koordinatore për Antiterrorizëm në Departamentit amerikan të Shtetit dhe shkurtimi i vizitës së senatorit Chris Murphy janë vetëm një nga pasojat e kryeneqësisë së liderëve të partive politike, kryesisht të koalicionit pas zgjedhor i cili vazhdon të insistojë në qëndrimin e tyre