.
×

Kritika e Kotzias: Hipokrizi të thuash se Shqipëria nuk do i bashkohet BE-së



Ish-ministri i jashtëm grek Nikos Kotzias në një intervistë për mediat greke ka folur lidhur me marrëdhëniet diplomatike të vendit të tij me Shqipërinë dhe Turqinë.

Edhe pse fillimisht, ish-kryediplomati grek ka kritikuar tonet e ashpra të Shqipërisë dhe Turqisë, Kotzias sërish i ka quajtur të padrejta “kërcënimet” e kreut të opozitës greke, Kyriakos Mitsotakis se me veprimet e saj vendi ynë nuk do të mund t’i bashkohet BE-së.

“Nuk është e drejtë që politika jonë e jashtme të përdorë të njëjtat tone si Turqia dhe Shqipëria. Me Turqinë kemi një ndryshim në kulturën politike. Ne kemi paqe dhe kulturë në politikë. E njëjta gjë vlen edhe për Shqipërinë, e cila i ka rritur tonet dy muajt e fundit. Por pavarësisht veprimeve të tyre, janë të papranueshme deklaratat e Mitsotakisit që Shqipëria nuk do t’i bashkohet BE-së. Kjo gjë arrihet vetëm me punë diplomatike. Perëndimi e bëri Shqipërinë anëtare të NATO-s pa kushte. Zoti Mitsotakis nuk mund të flasë sikur ata të mos kenë aspak ndikim, kjo është hipokrizi “, tha Kotzias.

Pyetjes së gazetarit nëse ka frikë nga një Shqipëri e Madhe e mundshme, Kotzias i është përgjigjur: Nuk kam frikë për një Shqipëri të Madhe për sa kohë ne nuk jemi pa mend dhe për sa kohë kemi iniciativa dhe zgjidhim ne problemet e rajonit.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë acaruar pas episodit të vrasjes së minoritarit grek, Konstandinos Kaçifas pas një shkëmbimi zjarresh me forcat RENEA në fshatin Bularat të Gjirokastrës. Ngjarja solli reagime të ashpra politike nga autoritetet greke, të cilat e cilësuan ngjarjen si shkeljen e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri.