.
×

Kreu i federatës serbe: Mendoja se do të përjashtoheshim



Presidenti i Federatës Serbe të Futbollit, Tomislav Karaxhiç, ka pranuar në një intervistë të dhënë për gazetën “Blic” se kishte menduar se Serbia do të përjashtohej për shkak të asaj që ndodhi në ndeshjen me Shqipërinë.

Ndonëse ai nuk flet direkt për vendimin e Komisionit të Disiplinës së UEFA-s, duket qartësisht se mendon që Serbia ka marrë shumë më tepër sesa meritonte dhe se rreziku i përjashtimit ka qenë shumë real pas telefonatës që kishte marrë nga Sep Blater gjatë ndeshjes së 14 tetorit.

Nëse Federata Serbe dhe UEFA kanë mbyllur sytë para fakteve të pakundërshtueshme të dhunës së ushtruar ndaj futbollistëve shqiptarë, Karaxhiç ka pranuar hapur gjithçka.

“Në fushë hyri një grup prej rreth 60 personash, ne e dimë se cilët janë. Sapo ata dolën nga fusha, me telefonoi Blater: ‘Bogdanov ka hyrë në fushë!’”.
“Pas ndeshjes mendova se do të na përjashtonin: Bogdanov, një karrige në fushë, tifozët, turma para tunelit me lojtarët e tyre… Skenari ishte ai i një ndeshje të ndërprerë”, ka thënë ai, transmeton Gazeta Shqip.

Karaxhiç po ashtu ka sqaruar se ditën pas ndeshjes kishte dhënë dorëheqjen dhe i kishte kërkuar Dejan Stankoviç ta zëvendësonte, por ky i fundit kishte refuzuar. Kjo ishte arsyeja pse ai kishte qëndruar ende në detyrë, për të mbyllur mandatin si president i Federatës./