[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Krerët politikë urojnë për Fitër Bajram



Në mëngjesin e së martës kanë uruar kryetarët e partive opozitare, Isa Mustafa i LDK-së e Albin Kurti i Vetëvendosjes.
Mustafa ka thënë se festat e tilla dëshmojnë unitetin qytetar e tolerancën ndërfetare në Kosovë.
“Të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, urime Festa e Fitër Bajramit. Në përfundim të muajit të shenjtë të Ramazanit, pas një muaji agjërimi, le të pranohen të gjitha lutjet e besimtarëve myslimanë. Uroj që solidariteti dhe mirëkuptimi të zotërojnë në familjet tona. Festat e tilla forcojnë besimin në vlera të larta njerëzore të dashurisë, sakrificës, faljes dhe solidaritetit. Poashtu, dëshmojnë dhe forcojnë unitetin qytetar dhe tolerancën ndërfetare në Republikën e Kosovës. Paqe dhe gëzime në familjet e juaja. Urime!”, thuhet në urimin e tij.
Kurti, në anën tjetër, ka thënë që duhet të synohet kah e drejta, e mira e e vërteta.
“Pas agjërimit të përditshëm në Ramazan dhe bashkimit të rregullt për Iftar erdhi festa e përbashkët e Fitër Bajramit. Urime e me gëzime! Vetëpërmbajtja individuale përgjatë një muaji, sakrifica vetëmohuese e kalitja shpirtërore vazhdohen me shumë solidaritet për ata që kanë më pak. Festa është e të gjithëve kur është për të gjithë. Me dashuri rreth sofrës së përbashkët, plot shpresë në zemra që agjërimi të jetë i pranuar, e me dorën e zgjatur të përkrahjes për të varfërit me fat Fitër Bajramin! Sivjet dhe sot, Fitër Bajrami përputhet me ditëlindjen e Mulla Idriz Gjilanit i cili e shkriu jetën e vet për leximin dhe mësimin, për shkollimin e brezave, derisa ra dëshmor në betejë për liri e për bashkim kombëtar këtu e 70 vjet më parë. Le të festojmë sepse le të anojmë kah e drejta, kah e mira, kah e vërteta, kah e mbara, kah e bukura”, ka uruar Kurti.
Kryeministri Ramush Haradinaj për Fitër Bajram u ka ndarë ëmbëlsira policëve të Kosovës.
“Në këtë ditë feste e nisa mëngjesin duke ndarë ëmbëlsira me Policinë e Kosovës. Në rrugëtimin tonë si shtet e shoqëri qofshim gjithmonë krah për krah. Me fat Fitër Bajrami!”, ka shkruar ai në Facebook.
Fitër Bajramin e ka uruar edhe kryetari i PSD-së dhe Prishtinës, Shpend Ahmeti.
“Me fat Bajrami! Si gjithmonë, Bajrami le të na shërbejë për sa më shumë solidaritet me njëri tjetrin. Uroj për sa më shumë mirëqenie e lumturi në familjet tuaja”, ka shkruar ai në Facebook.
Të hënën në mbrëmje ka uruar edhe presidenti Hashim Thaçi.
“Besimtarëve myslimanë ua uroj festën e Fitër Bajramit, të cilës i gëzohemi bashkë me më të dashurit tanë. Duke dëshmuar bujarinë tonë, bamirësinë, tolerancën, fisnikërinë dhe çdo vlerë të shoqërisë sonë, duke i forcuar dhe besuar në to, ne e mbështesim njëri-tjetrin, përkujdesemi për njëri-tjetrin dhe bashkërisht, pa dallime, ecim përpara!” ka shkruar Thaçi në urimin e tij.
Me rastin e faljes së namazit të Fitër Bajramit, myftiu Naim Tërnava kërkoi unitet qytetar e politik në vend që të gjithë së bashku ta mbrojnë vendin dhe të punojnë për të ardhmen e Kosovës. Tërnava u ka bërë thirrje të gjithëve që të mos braktisin Kosovën, ndërkohë ka bërë thirrje që të krijohen vende punë dhe siguri e mirëqenie për të gjithë.

Menu Title