.
×

KQZ u kishte dhënë tenderë kompanive në kundërshtim me ligjin



Gjetjet e Auditorit të Përgjithshëm duket të kenë hasur në disa çështje problematike edhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), që sipas tyre ka të bëjë me mos realizimin e buxhetit final, mangësitë në vlerësimin e tenderëve dhe dobësive sistematike në prokurim.

Sipas Auditorit, KQZ-ja nuk ka arritur të realizojë 14 për qind të buxhetit final, ndërsa për investime kapitale edhe pse është reduktuar shuma, aty ishin shfrytëzuar 64 për qind.

“KQZ nuk ka arrit të realizojë 14% të buxhetit final. Buxheti vjetor është shfrytëzuar nën nivelin e pritur. Me gjithë shkurtimet buxhetore, realizimi mbetet nën nivelin e pritur. Edhe buxheti për investime kapitale, ndonëse i reduktuar për 41,210€ ishte shfrytëzuar vetëm 64%”, thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm, raporton Indeksonline.
Sipas tyre, kryetarja e KQZ-së duhet të sigurojë që planit buxhetor t’i paraprijë një proces rigoroz i vlerësimit që pasqyron plotësisht të gjithë informacionin e duhur duke përfshirë rezultatet e vitit paraprak.

Çështje tjetër është ngritur mangësia e vlerësimit të tenderëve ku në dy kontrata janë ofruar çmime të ndryshme.
“Në dy kontrata ajo për “Furnizim me Toner” dhe “Furnizim me Material Administrativ” në dosjen e tenderit nuk ishte përfshirë sasia e përafërt e konsumit/furnizimeve gjatë periudhës kontraktuese, por ishte kërkuar vetëm çmimi për një njësi. Në kontratën e dytë, në dosjen e tenderit përkatësisht në formularin e përshkrimit të çmimeve apo listën e specifikuar me artikujt për furnizim, i njëjti lloj i produktit ishte përfshirë dy herë. Fituesi i tenderit kishte ofruar çmime të ndryshme për produktin e njëjtë (2,40€ dhe 1,70€)”, sqaron raporti i Auditorit, transmeton Indeksonline.

KQZ përkundër mangësive të lartcekura, duket të ketë dobësi edhe në prokurim, ku ka lëshuar gjashtë (6) kontrata të ndryshme, të cilët kanë borxhe të papaguara në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), ndërsa sipas kërkesës ligjore që është e paraqitur në dosjen e tenderit, thuhet se fituesi i tij para nënshkrimit të kontratës duhet të dëshmojë se nuk ka obligime tatimore ndaj autoriteteve publike, transmeton Indeksonline.

“KQZ ka nënshkruar gjashtë kontrata të ndryshme në vlerë 221,940€ me të njëjtin OE i cili kishte borxhe të papaguara ndaj ATK-së. Është kërkesë ligjore e paraqitur në dosjen e tenderit, që para nënshkrimit të kontratës, fituesi i tenderit të dëshmojë se nuk ka obligime tatimore ndaj autoriteteve publike, në të kundërtën e humb të drejtën e shpërblimit me kontratë”, sqaron raporti i Auditorit.

Sipas tyre, kryetarja e KQZ-së duhet të sigurojë se do të bëhet një rishikim i rasteve në të cilat procedurat dhe kontrollet nuk janë aplikuar në mënyrë efektive.

Auditori konsideron se veprimet dhe proceset e duhura duhet të ndërmerren për të siguruar evitimin e dobësive të tilla në të ardhmen.