.
×

Kosova “pashallëk” i Beogradit?!  



Shkruan: Nehat Hyseni

Hija e regjimit të Serbisë duhet të shporret sa më parë nga Kosova! Qytetarët serbë të Kosovës janë shtetas të Kosovës dhe ata nuk mund dhe nuk guxojnë kurrësesi të trajtohen ndryshe nga ajo se si trajtohen shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe viseve të tjera gjithandej në Serbi. Askush sot nuk mund të na kuptoj se si akoma dikush nga politikanët aktualë të Republikës së Kosovës pret urdhëra nga Beogradi dhe  e bllokon punën e Kuvendit të Kosovës, që na sollën  bllokadë dhe  ngërç politik, duke ia lejuar, madje edhe duke ia kërkuar Serbisë që të përzihet në punët e Kuvendit dhe shtetit të Kosovës!

Bllokada politike, sipas diktatit të Serbisë?

Vazhdimi i mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës i 17 korrikut 2014, që ishte caktuar për 12 shtator, megjithatë nuk u mbajtë, meqë deputetja më e moshuar, zonja Flora Brovina, të cilës i ra hise të jetë kryesuese deri në zgjedhjen e kryetarit, vendosi që ta shtyej për datën 18 shtator 2014.

Në takimin konsultativ të partive parlamentare të Kosovës, që kishte caktuar deputetja Brovina për datën 11 shtator, ajo i caktoi edhe një herë vetes kompetenca që nuk i takojnë, as me Rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës e as me Kushtetutë. Ajo de facto e (vet) shpalli veten kryetare të Kuvendit të Kosovës.

Por, si duket as kjo nuk i mjaftoi zonjës Brovina, prandaj edhe e mori rolin edhe të Presidentes, duke i dhënë (vet) vetes lirinë dhe të drejtën e ndërtimit të “unitetit” të subjekteve politike në vend?! Kuptohet, nga pozitat e militantes, por dhe misionares fanatike të PDK-së dhe shefit të saj, kryeministrit në ikje, Hashim Thaçit.

Kjo u vërejt shumë qartë edhe në mbledhjen e 17 korrikut, kur ajo këmbëngulte për një “konsultim” midis partive politike, me qëllim të përfshirjes së PDK-së në qeverisje. Insistimi këmbëngulës i tyre është konkretisht për postin e kryetarit të Kuvendit. Meqë i kanë vetëm 37 deputetë dhe  u mungojnë minimalisht edhe  24 vota, meqë  për ta realizuar këtë objektiv të tyre politik, atyre u duhen së paku 61 vota, që realisht nuk i kanë.

Prandaj, ata janë këmbëngulës në insistimin e tyre për marrëveshje të partive politike, në mënyrë që të sigurojnë diçka në qeverisjen e ardhë qeverisjen e ardhëshme të Kosovës, për periudhën e ardhëshme katërvjeçare 2014-2018.

Pra, atë që nuk e arritën në zgjedhjet  e jashtëzakonëshme parlamentare të 8 qershorit 2014, ata po përpiqen që ta realizojnë me këmbëngulje, kokëfortësi dhe me shantazhe të pafund, nëpërmes deputetes Brovina.

“Sihariqi” i fundit i saj ishte nga takimi i partive politike më 11 shtator, ku morën pjesë vetëm PDK me minoritetet. Aty ndodhi befasia më e papritur edhe për militantët fanatikë të PDK-së dhe shkaktoi shumë pakënaqësi tek Koalicioni paszgjedhor LDK-AAK-Nisma dhe Lëvizja Vetëvendosje, meqë mbledhja e cakuar për 12 shtator, u shtye për datën 18 shtator 2014, me propozimin e Lista Srpska-s.

Arsyetimi që e dhanë ata lidhur me kërkesën për shtyerjen e dates së vazhdimit të mbledhjes konstituive, nga 12, në 18 shtator, ishte katastrofal dhe i pa pranueshëm, meqë ata po e kërkonin kohën pë konsultime me qeverinë e Serbisë në Beograd lidhur me atë se a duhet të jenë  pjesë e Koalicionit pas kyçjes së Lëvizjes Vetëvendosje në te. Do të thotë se pa pëlqimin e Beogradit, nuk mund të mbahet mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës!

Dhe, për çudi, z.Brovina pa kurrëfarë hezitimi e (mirë) priti dhe  miratoi këtë “propozim”, pa asnjë vërejtje apo kundërshtim! Madje, pa i bërë fare përshtypje zonjës Brovina implikimi i Qeverisë së Beogradit në punët e Kuvendit të Kosovës, sikur të ishte Kosova provincë e Serbisë, apo “pashallëk” i Beogradit.

Shërbimet dhe servilizmi ndaj Serbisë i qeverisjes së deritanishme të Kosovës nga Qeveria aktuale në ikje, janë të pafund. Duke filluar nga shërbimi me devotshmëri fanatike ndaj Serbisë në Dialogun e Brukselit, ku u bënë lëshime të paimagjinuara Serbisë me nënsahkrimin e Marrëveshjes së Brukselit të 19 prillit 2013, që u cilësua nga populli, e sidomos nga shqiptarët e Luginës së Preshevës, si tradhëti kombëtare ordinere, meqë as që i  ra në mend dhe nuk iu kujtua ekipit negociator të Kosovës në krye me Edita Tahirin, si dhe shefit të saj, kryeministrit Hashim Thaçi se ekzistojnë fare këta shqiptarë të mjerë, të cilët askund nuk u përmendën fare, madje as në margjina të Dialogut. Me këtë, kjo mqeveri në ikje ka shkruar një histori të turpëshme dhe kriminele ndaj kësaj pjese të shqiptarisë.

Por, Dialogu i Brukselit e dëmtoi rëndë edhe Kosovën. Sepse, aty u nënshkrua formimi i Asociacionit të komunave serbe, që paraqet një “Republika Srpska” të Bosnes, që do e bëjë edhe Kosovën shtet skajshmërisht jofunksional, ashtu si është Bosna sot, me çka u shkelë rëndë sovraniteti territorial dhe Pavarësia e Kosovës, e shpallur më 17 shkurt 2008.

Stop servilizmit ndaj Serbisë!

Kështu, Serbisë iu mundësua me “argatllëkun” dhe servilizmin e negociatorëve kosovarë, hapja e rrugës drejtë Europës dhe marrja e ftesës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Kurse Kosova çfarë fitoi? Mjerisht, asgjë! Madje as vizat për lëvizje të lire të qytetarëve të saj në Europë, duke mbetur vendi më i izoluar në Europë, ku populli i saj jeton sin ë “karantinë”.

Pra, si duket, këto bisedime u zhvilluan pa kurrëfarë parimesh e kriteresh, që e afroi Serbinë me BE-në, duke ia shkurtuar rrugëtimin në këtë drejtim, kurse Kosovën e sakrifikoi dhe largoi edhe më tepër nga rruga dhe perspektiva e saj euroatlantike.

Andaj, Qeveria e re duhet që ta shqyrtoj urgjentisht Dialogun ne Brukselit dhe mperformansën e pales kosovare në këtë dialog ta analizoj mire dhe të merr masat dhe përgjegjësinë përkatëse për ekipin negociator, si dhe ta rishqyrtoj të Marrëveshjen e 19 prillit 2013, dhe t’i hartoj parimet e reja të vazhdimit të dialogut me Serbinë.Gjithësesi, aty patjetër duhet ta përfshijë parimin e reciprocitetit të Kosovës me Serbinë, si dhe parimin e reciprocitetit lidhur me të drejtat e serbëve të Kosovës me të drejtat e shqiptarve në Serbi.

Historia e servilizmit dhe përuljes së Kosovës ndaj Serbisë është e gjatë. Ashtu ishte që nga vjeshta e vitit 1912, kur Kosova gjatë Luftës së pare dhe të dytë Ballkanike, u masakrua dhe nënshtrua me gjak, si dhe gjatë periudhës së socializmit dhe regjimit të Millosheviqit.

Por, atëherë Kosova ishte e nënshtruar dhe nën ushtrinë, policinë dhe regjimin e egër serb. Kurse tani, me largimin e ushtrisë, policisë dhe regjimit serb nga Kosova në vitin 1999 dhe me futjen e NATO-s dhe mbikëqyrjes ndërkombëtare në formë protektorati, e sidomos pas shpalljes së Pavarësisë në vitin 2008, vërtetë ky servilizëm ndaj Sertbisë nuk ka kurrëfarë kuptimi dhe nuk mundë të arsyetohet nga askush, as para popullit e as para Zotit!

Hija e regjimit të Serbisë në Kosovë duhet të shporret sa më parë. Qytetarët serbë të Kosovës janë shtetas të Kosovës dhe ata nuk mund dhe nuk guxojnë kurrësesi të trajtohen ndryshe nga ajo se si trajtohen shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe viseve të tjera, si psh. në Beograd dhe në Novi Sad e gjetiu në Vojvodinë dhe në Serbi.

Askush sot nuk mund të na kuptoj se si akoma dikush nga politikanët e Republikës së Kosovës prêt urdhëra nga Beogradi dhe  e bllokon punën e Kuvendit të Kosovës dhe formimin e institucioneve demokratike e shtetërore dhe Qeverisë së re, tre muaj e më tepër nga zgjedhjet e jashtëzakonëshme parlamentare të 8 qershorit 2014. Atëherë populli votoi me sukses dhe ato zgjedhje u vlerësuan sit ë sukseshme e dinjitoze.

Kurse, politikanët e papërgjegjshëm na sollën në bllokadë ekstreme dhe në ngërç poitik, duke ia lejuar, madje edhe duke ia kërkuar Serbisë që të përzihet në punët e Kuvendit dhe shtetit, si dhe akoma ta sundoj Kosovën!

Vallë, a mund të ket tradhëti më të madhe kombëtare në Kosovën e lirë, sovrane dhe të pavarur se sa kjo?

A nuk i rrezikuam vlerat elementare të shqiptarizmës dhe të demokracisë, ndjenjave të lirisë, pavarësisë e shtetësisë sot në Republikën e Kosovës, ku madje as mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës nuk mund ta mbajmë pa e pyetur Serbinë?

A duhet të japin llogari para popullit dhe historisë personat përgjegjës që i kanë veshët e shurdhër ndaj kërkesave eksplicite të subjekteve politike shqiptare të Kosovës, si dhe të miqëve tanë strategjik ndërkombëtarë, si psh. ambasadorja e SHBA-së, zonja T. Jacobson dhe përfaqësuesi i BE-së, z. S. Zhbogar, që na sugjerojnë që “sa më pare të formohen institucionet e Kosovës” dhe të mos zhagitet më procesi i funksionimit të Kuvendit të Kosovës?

A duhet të jep ndokush  përgjegjësi, apo akoma do ta vazhdojmë avazin e vjetër që edhe sot e kësaj dite dhe në të ardhmen ta pyesim Serbinë, gjashtëmbëdhjet vjet pas hyrjes së Aleancës më të madhe ushtarake në botë, NATO-s dhe gjashtë vjet e gjysëm nga shpallja e Pavarësisë së Republikës së Kosovës?