.
×

Kosova kurth i pakalueshëm i Serbisë për në BE



Kërkesat për forcimin e pavarësisë së Kosovës, presionet që t’i vihen sanksione Rusisë dhe përpjekjet që të dobësohet Republika “Srpska”, janë tri sfidat më të mëdha politike të Serbisë në këtë vit.

Siç raporton gazeta serbe “Novosti”, kreu shtetëror serb që nga informatat dhe deri te vlerësimet e burimeve analitike e diplomatike, e ka skicuar në tërësi këtë skenar, që gazeta e quan të vështirë e që do t’i servohet gjatë vitit 2015, Serbisë.

Po ashtu figurat udhëheqëse politike serbe tashmë, po i përgatisin përgjigjet diplomatike në të gjitha ato që gazeta i quan “kurthe të Serbisë”.

Sipas kësaj gazete, Beogradi vlerëson se sfida e parë dhe më e madhe do të jetë vazhdimi i negociatave me Prishtinën nën mbikëqyrjen e Bashkimit Europian që është paraparë më 9 shkurt.

Që në këtë takim mund të bëhet fjalë për 12 kushtet e Brukselit për të cilat insiston Berlini e të cilat, thotë gazeta, shkelin neutralitetin e statusit dhe shkojnë në favor të pavarësisë së Kosovës.

Ndërsa, nga epilogu i këtij vazhdimi të bisedimeve, varet hapja e kapitujve të parë negociues Serbi- BE. Beogradi thotë se do të insistojë që zgjidhja të bëhet në kuadër të Kushtetutës së Serbisë.