.
×

Kosova hedh poshtë ofertën rumune, kërkon që Bukureshti ta njohë pavarësinë



Presidenti i Rumanisë Klaus Iohannis ka deklaruar sot në Bukuresht pas takimit me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq se është i gatshëm të përfshihet në bisedime për gjetjen e një zgjidhjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai ka thënë se zgjidhja përfundimtare nuk mund të imponohet nga jashtë dhe se ai nuk mund ta imagjinojë një zgjidhje që nuk e pranojnë serbe. Për, këtë ka ofruar gatishmërinë e vendit të tij që gjatë pjesës së parë të vitit 2019, Bukurueshti të marrë një rol në këtë cështje. Por, çfarë thonë në Prishtinë?

Gatishmëria e shtetit të Rumanisë, për t’u përfshirë në gjetjen e zgjidhjes për Kosovën, mirëpritet në Prishtinë, por së pari këtij i shteti i kërkohet njohja e pavarësisë, pasi rumunët janë njëra nga 5 shtetet e BE’së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

 

Gazeta Express ka kontakuar me Bekim Çollakun, shefin e kabinetit të presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, i cili duke komentuar këtë ofertë, ka thënë se Rumania së pari duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës.

 

Sipas Çollakut, Bashkimi Europian është duke ndërmjetësuar bisedime dhe se pala kosovare nuk është duke kërkuar që të zëvendësohet Brukseli.

 

“Bashkimi Evropian është dhe mbetet ndërmjetës/lehtësues zyrtar i procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne jemi mirënjohës dhe nuk jemi duke kërkuar zëvendësim për rolin vendimtar të BE-se si ndërmjetësues në këtë proces” ka thënë Collaku për Gazetën Express.

 

Por, për të fituar kredibilitet, rumunët duhet ta njohin pavarësinë e Kosovës, ka thënë Çollaku.

 

“Kosova mirëpret ndihmën e çdo shteti demokratik për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Rumania nuk paraqet përjashtim ne rast se qëllimet e saja janë kredibile. Por për te fituar kredibilitet ne këtë qasje, nuk është aspak vone qe si hap te pare te krijimit te mirëbesimit reciprok, Rumania ta njeh pavaresine e Kosoves” ka shtuar këshilltari i presidentit.

 

Ndryshe, iniciativën e Presidentit të Rumanisë e ka mirëpritur Vuçiq i cili ka thënë se presidenti rumun ka reputacion në botë dhe është kredibil edhe për faktin që Rumania s’e ka njohur pavarësinë.