.
×

Kosnett ‘godet’ liderët, tregon se përse të rinjtë po ikin nga Kosova



Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett, u shpreh sot se Kosova ka ende punë për të bërë në zhvillimin e saj ekonomik dhe forcimin e paqes, ndërsa bëri thirrje për t’iu ofruar të rinjve vende pune, pasi në mungesë të tyre njerëzit po e braktisin vendin.

Ai këto komente i bëri në ceremoninë përmbyllëse të Programit të lidershipit përmes të cilit janë ofruar bursa dhe partneritet në universitetet amerikane dhe atyre të Kosovës, i mbështetur nga Qeveria amerikane dhe ajo e Kosovës.Njerëzit po ikin nga Kosova sepse nuk mund të gjejnë punë nëse nuk i takojnë familjes apo partisë së duhur dhe shumë të tjerë po e shqyrtojnë ikjen

Diplomati amerikan ka inkurajuar pjesëmarrësit e Programit të USAID-it Lidershipi Transformues (TLP) – Bursat dhe Partneritetet që të luajnë një rol të rëndësishëm për perspektivën e ardhshme dh t’iu prijnë ndryshimeve të rëndësishme në fushën ekonomike, politike e shoqërore.“Duke iu falënderuar bursave të TLP-së gati 300 qytetarë kanë shkuar në SHBA dhe janë kthyer me diploma të avancuara dhe kanë bërë gjëra të jashtëzakonshme…

Të diplomuarit përmes TLP-së gjithashtu formuan inkubator ndërmarrësie që po iu ndihmon qindra studentëve për t’iu kthyer ëndrrat e tyre perëndimore të sapo themeluara në realitet… Përveç TLP-së, Universiteti i Prishtinës dhe Ministria e Arsimit kanë themeluar partneritet të ngushtë me universitetet amerikane dhe kanë ndihmuar për shkëmbimin e stafit dhe kështu ka nisur qendra për kërkim dhe zhvillim të karrierës për t’i dhënë hov resurseve për studentë dhe universitete.

Shpresoj që Qeveria e Kosovës do ta marrë udhëheqjen për të siguruar qëndrueshmërinë e këtyre investimeve dhe partneritet në mbështetje të arsimit të lartë”, ka thënë ai.Për më tepër diplomati amerikane foli edhe për sfidat me të cilat studentët e programit TLP do të përballen me ndërtimin e së ardhmes ekonomike të Kosovës, dhe gjetjen e mënyrave për tejkalimin e këtyre sfidave.

“Kur njerëzit më pyesin se pse më shumë kompani nuk hapin fabrika në Kosovë, sepse Kosova e do Amerikën, apo qeveria amerikan nuk i urdhëron ndërmarrjet për të hapur fabrikat, unë jam ai që duhet të jap lajmet e këqija, sepse amerikanët që e njohin Kosovën kanë pasur respekt dhe dashuri për këtë vend siç ndiejnë kosovarët për SHBA-në, por biznesmenët do të investojnë atje ku ka kuptim për biznes dhe pikë”, u shpreh diplomati amerikan.

Ambasadori amerikan tha se për zhbllokimin e potencialit ekonomik, Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet për t’iu ofruar të rinjve mundësi për t’i zhvilluar shkathtësitë e nevojshme për vendet e punës, reformën në sistemin e arsimit dhe mënjanimin e politikës nga sektori i arsimit.

“Drejtësia nënkupton t’iu mundësosh më shumë grave të marrin pjesë në tregun e punës dhe të kenë të njëjtat gjasa për sukses si meshkujt. Gjithashtu nënkupton mos përzierjen e politikës në procesin e punësimit. Njerëz brilant po ikin nga Kosova, sepse nuk mund të gjejnë punë nëse nuk i takojnë familjes apo partisë së duhur dhe shumë të tjerë po e shqyrtojnë ikjen”, tha ai.

Diplomati amerikan potencoi rëndësinë e vazhdimit të paqes në vend, duke thënë se ndërmarrjet nuk mund të kenë sukses pa pasur drejtësi dhe paqe të përsosur për Kosovën dhe fqinjët e saj.Ndërsa, ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, vlerësoi rolin e shtetit amerikan në mbështetjen si partner të Kosovës në fushën e arsimit.“Nëse Kosova synon madhështinë, ne duhet të kemi njerëz të kualifikuar dhe universitete publike të shkëlqyera. Themeluesit e TLP-së, ajo e SHBA-së dhe e Kosovës e kuptuan këtë.

Sot jemi falënderues dhe mirënjohës për shumë palë të interesit, themeluesit e TLP-së, të miqve qytetarëve tatimpagues të të dyja vendeve, të cilët e financuan këtë program, njerëzit në SHBA dhe Kosovë, të cilët e menaxhuan atë dhe ruajtën integritetin e këtij programi”, tha Bytyqi.Ai shtoi se duhet investuar më tepër në arsimin e lartë dhe të përmbushen standardet për të konkurruar me ekonominë e zhvilluar botërore, duke shprehur gatishmërinë për të vazhduar angazhimin në programi TLP edhe për pesë vjetët e ardhshme me World Learning.

Programi i USAID-it Lidershipi Transformues (TLP) – Bursat dhe Partneritetet, aktivitet ky pesëvjeçar ka për qëllim zhvillimin e një kuadri udhëheqësish që do t’u prinin ndryshimeve të rëndësishme në fushën ekonomike, politike dhe atë shoqërore në Kosovës, përmes bursave, zhvillimit të lidershipit dhe partneriteteve me universitetet në SHBA.TLP u ka mundësuar 181 studentëve që të fitojnë diploma të nivelit master dhe 107 bursistëve të tjerë të përfundojnë programe të certifikimit profesional në SHBA.

Programi i USAID-it Lidershipi Transformues – Bursat dhe Partneritetet u realizua në partneritet me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa partner implementues ishte World Learning./kp