.
×

Konjufca t’i sqarojë lidhjet familjare me Ramabajën



Ende pa u themeluar të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës që drejtohet nga Kadri Veseli ka filluar opozitarizmin ndaj Lëvizjes Vetëvendosje e cila tashmë ka në krye të Kuvendit, Glauk Konjufcën, ndërkohë pritet që të drejtojë edhe qeverinë e re në rast të një marrëveshje me LDK’në.

Në një reagim për media të lëshuar nga Grupi Parlamentar i PDK’së, është atakuar kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Nga PDK’ja thonë se është vërtetuar se organizata “Syri i Popullit” është zgjatim i Lëvizjes Vetëvendosje, ndërkohë kanë kërkuar nga Konjufca që të sqarojë lidhjen e afërt me një prej anëtarëve të kësaj organizate, Sadri Ramabajën.

Reagimi i plotë:

Kapja e Kuvendit nga “Syri i Popullit”, Kryeparlamentari Konjufca të tregojë lidhjet familjare me të dënuarin Ramabaja

Grupi Parlamentar i PDK-së, shpreh indinjatë për karakterin parapolitik që i është dhënë Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke qenë në krye të tij ideologu i organizatës terroriste “Syri i Popullit”, Glauk Konjufca.

Kryeparlamentari Konjufca, i cili ka lidhje të ngushta familjare me ish asamblistin dhe ish kandidatin për deputet të VV-së, Sadri Ramabajën, të dënuarin e “Syrit të Popullit”, duke heshtur, po mbron veprimtarinë e kësaj organizate terroriste, e cila krijoi lista për vrasjen e kundërshtarëve politikë dhe filloi zbatimin e saj duke bërë atentat.

Me heshtjen e saj, Vetëvendosje po rikonfirmon atë që e kemi thënë vazhdimisht dhe që u vërtetua edhe në gjykatë – se “Syri i Popullit” është zgjatim i Vetëvendosjes në praktikë dhe diskurs.

PDK kërkon të ruhet fryma dhe karakteri demokratik i Kuvendit të Kosovës nga çfarëdo individi që asocohet me këtë organizatë terroriste.