.
×

Komunat s’e ndalin luksin – blejnë vetura e mobile të reja



Disa komuna nuk po mund ta ndalin hovin e blerjes së veturave të reja, mobilieve e investime të tjera për punë që fare nuk u takon.

Kjo praktikë që thuajse në të gjitha raportet e auditimit është dhënë si vërejtje, nuk është marrë fare parasysh nga to.

Me rishikimin e buxhetit, disa komuna kanë vazhduar të njëjtin projekt, e disa të tjera i kanë futur si projekte të reja.

Bazuar në të dhënat e buxhetit të rishikuar, Komuna e Prizrenit ka vendosur t’i harxhojë 60 mijë euro për blerë vetura, Malisheva do t’i harxhojë 30 mijë për të njëjtën arsye, kurse Gjakova, 2 vetura nga 12 mijë dhe Kamenica po aq për blerje të veturave.

Prizreni ka vendosur të harxhojë edhe 40 mijë euro në emër të eliminimit të qenve endacakë.

Nga ana tjetër, komuna e vogël e Mamushes ka marrë përsipër të kryejë punët e kompanive të tjera, duke dërguar rrymën dhe kabllovikun me çmimin prej 19 mijë eurosh, , raporton KTV.

Ndërkaq Komunës së Vushtrrisë duket se nuk i kishin mjaftuar 3000 euro për blerje të mobilieve, pasi që me rishikim i ka dhënë edhe 2000 të tjera. Kjo komunë ka vendosur të kryejë punën e KEDS-it, duke blerë shtylla dhe transformatorë të energjisë në vlerë prej 15 mijë eurosh.