.
×

Komuna: Kompanitë e pastrimit të borës nuk po e kryejnë punën mirë



Komuna e Prishtinës njofton se pas reshjeve të fundit të borës, ekipet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit si dhe Drejtorisë së Inspekcionit janë në terren, të gatshme për të intervenuar në çdo kërkesë të qytetarëve.

Të ballafaquar me një rëndim të situatës për shkak të përkeqësimit të motit, Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Drejtoria e Inspekcionit, thuhet se kanë mobilizuar të gjitha kapacitetet e tyre për të asistuar në pastrimin sa më të shpejtë të rrugëve të Prishtinës, por edhe të rrugëve lidhëse të fshatrave të Komunës së Prishtinës.

Njëkohësisht, komuna informon opinionin publik se nuk janë të rralla rastet kur kanë probleme edhe me disa me kompanitë e kontraktuara si rezultat i mungesës së kapaciteteve së tyre, mirëpo edhe për shkak në mos seriozitetit të tyre në raste të caktuara.

Si masë emergjente, çdo makinerie të angazhuar për pastrimin e borës, Komuna e Prishtinës thotë se i ka bashkëngjitur edhe nga një ekip të inspektoratit, të cilët e kanë për detyrë jo vetëm mbikëqyrjen e pastrimin në përgjithësi, por edhe inspektimin e punës së secilës makineri të këtyre kompanive.

Komuna e Prishtinës, përmes këtij njoftimi thotë se kompanitë e kontraktuara nuk e kanë shfrytëzuar të gjithë kapacitetin e tyre për të pastruar rrugët dhe për këtë, kompanive do tu shkëputet kontrata.

“Edhe pse kontratat e lidhura me këto kompani janë kontrata kornizë të nënshkruara para dy viteve, Komuna e Prishtinës javën e kaluar ka verifikuar gjendjen e makinerisë dhe sasinë e kripës që kanë në dispozicion këta operatorë, por pas reshjeve te fundit te bores, kompanitë nuk i kane futur në përdorim, e në disa raste nuk i posedojnë kapacitetet të cilat i kanë deklaruar kur kanë aplikuar në tenderët për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve. Njëkohësisht, janë identifikuar edhe raste kur disa kompani nuk e kanë vullnetin e duhur për ta tejkaluar këtë situatë pothuajse emergjente me qëllim të lehtësimit të vështirësive të qytetarëve në qarkullim. Sapo të kemi raportin e inspektorëve, si dhe në të njëjtën kohë duke marrë parasysh edhe ankesat e qytetarëve dhe të Policisë së Kosovës, Komuna e Prishtinës do të bëjë vlerësimin e punës së deritashme të secilës kompani veç e veç. Në momentin që do të dokumentohen shkelje serioze të obligimeve që janë të parapara me kontratë, atëherë do të ndërmerren të gjitha masat ligjore, duke përfshirë edhe shkëputjen e kontratës me kompanitë që nuk kanë qenë në nivel të kryerjes së punës së tyre”, thuhet në njoftimin e tyre.

Në anën tjetër Komuna e Prishtinës, thotë se në bazë të informatave që ka nga terreni, deri më tani nuk ka asnjë rrugë të pakalueshme, por sipas tyre ka rrugë të caktuara në të cilat është vështirësuar qarkullimi, posaçërisht në ato zona ku pjerrtësia e rrugëve është më e madhe.

Njëkohësisht, komuna njofton banorët e Prishtinës së Komuna në vazhdimësi është duke u koordinuar me Policinë e Kosovës, ndërsa sipas tyre shqetësues mbetet fakti se në komunikacion marrin pjesë shumë makina që nuk i kanë pajisjet dimërore.