.
×

Komuna e Pejës ia jep 9 rroga gabimisht një ish-punëtori, tash ia kërkon t’i kthejë



Komuna e Pejës, në nëntor të vitit 2015, e kishte paditur ish-zyrtarin e saj, Selim Muriqi, me pretendimet për pasurim të pabazë. Pasi që tani i padituri, kishte dal në pension, siç thuhet në padi, sipas një gabimi teknik komuna atij ia kishte lëshuar nëntë paga në shumë prej rreth tre mijë eurosh, e të cilat tani pala paditëse kërkon që t’i kthehen.

Lidhur me këtë rast, të martën është mbajtur seanca gjyqësore në Gjykatën Themelore në Pejë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Por, në këtë seancë, në të cilën nuk ka marr pjesë tani i padituri, e autorizuara e palës paditëse, Komuna e Pejës, avokatja Drita Sopi- Gashi, ka kërkuar nga gjykata që t’i jepet mundësia për precizimin e padisë.

“Mbes në tërësi pranë padisë dhe thënieve paraprake, si dhe kisha kërkuar për mundësinë për ta precizuar padinë në lidhje me periudhën kohore janar 2014 deri janar 2016”, ka thënë avokatja Sopi-Gashi.

Gjykatësi Berisha, e ka aprovuar një propozim të tillë dhe me aktvendim e ka detyruar të autorizuarën e paditëses, që në afat prej tri ditësh, ta bëjë precizimin e padisë dhe ta saktësojë shumën e pasurimit të pa bazë të të paditurit Selim Muriqi.

Seanca e radhës është caktuar më 2 Maj 2019, nga ora 13:00.

Ndryshe, për mungesën e tij, i padituri Selim Muriqi, me parashtresë e kishte njoftuar gjykatën që nuk do të marrë pjesë, pasi që nuk e sheh të arsyeshme prezencën e tij.

Sipas padisë së ushtruar më 13 nëntor 2015, Komuna e Pejës – Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Hidroekonomi, ka kërkuar nga i padituri Selim Muriqi, t’ia kompensojë në emër të pasurimit të pa bazë, shumën prej 2.618,80 euro.

Në padi thuhet që i padituri ka qenë i punësuar tek paditësja si rojtar pylli, dhe kur e ka arritur moshën e pensionimit, 65 vjeç, i është ndërprerë marrëdhënia e punës, por për shkak të një lëshimi teknik, atij i janë lëshuar edhe nëntë paga mujore, që e arrijnë shumën prej 2.618,80 euro.

Sipas padisë, pasi që i padituri Muriqi, nuk i ka kthyer këto paga mujore në mënyrë vullnetare, Komuna e Pejës, ka kërkuar që kjo çështje të zgjidhet përmes kësaj padie.