.
×

Komandantët kërkojnë kundërligjshëm regjistrimin e studentëve



Vetëm në Kosovë, studentët ndahen në dy kategori sa i përket regjistrimit në fakultet. Dikush regjistrohet përmes konkursit, e organizatat e dala nga lufta kërkojnë regjistrimin e studentëve pa konkurs dhe në mënyrë të kundërligjshme. Tash, këto organizata i kanë dhënë afat Rektoratit deri të mërkurën për t’i regjistruar edhe 1000 studentë të rinj.

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së i kanë dhënë ultimatum rektorit të Universitetit të Prishtinës, që ta zbatojë memorandumin e bashkëpunimit mes OVL të UÇK-së dhe UP-së për pranimin e listës për studentë me emrat e fëmijëve të këtyre kategorive.

Ata e kanë caktuar të mërkurën e javës së ardhshme si afat kur rektori Ramadan Zejnullahu duhet të reflektojë “pozitivisht” në kërkesën e tyre.

Në të kundërtën, ata kanë paralajmëruar masa tjera, fillimisht duke protestuar, e më pas do të vendosin për masa tjera, shkruan kallxo.com

Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, tha se memorandumi ka bazë ligjore dhe kërkoi që ajo të respektohet.

Kurse rektorati nuk ka dashur të flasë rreth këtij memorandumi, me arsyetimin se kjo çështje është ende në procedurë.

Janë rreth 1 mijë fëmijë të të tri kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, asaj të Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve të UÇK-së, të cilët kërkojnë që të pranohen si studentë për këtë vit akademik në UP.