.
×

Kladjona 6 vjeçare nga Prishtina fiton “Little Miss Galaxy 2015”



Kladjona Ramadani, 6 vjeçarja nga Prishtina, fitoi çmimin e parë “Little Miss Galaxy 2015” në garën ndërkombëtare për modën për fëmijë që u zhvillua në Bansko të Bullgarisë më 14 mars.

Njëkohësisht 6 vjeçarja në këtë ngjarje mori edhe dy çmime tjera: “Green Life Resort 2015” dhe “Best of the Best Talents” që kanë të bëjnë me interpretime muzikore dhe gara të modës.

Nëna e saj, Adile Ramadani, ka bërë të ditur për Koha.net se pjesë e këtyre garave për fëmijë ishin fëmijë nga e gjithë bota të cilët patën rastin të shkëmbejnë eksperiencat e tyre rreth artit në përgjithësi.

“Ishte kënaqësi edhe për fëmijët edhe për ne si prind të shohim se si arti arrin t’i bashkoj fëmijët tanë pavarësisht moshës, etnisë dhe njohurive gjuhësore. Në këtë garë gjuha e vetme me të cilën të gjithë kuptoheshin ishte arti dhe talentet në fusha të ndryshme të të gjithë fëmijëve garues. Ne ndihemi shumë mirë që arritëm ta përfaqësojmë Kosovën në mënyrë të denjë dhe u kthyem si fitues të tri çmimeve”, ka thënë ajo.