.
×

Kjo është shuma që partitë duhet t’ia paguajnë PZAP’it për shkeljet në zgjedhje



 

Shumica e subjekteve politike ua kanë parë sherrin pjesëmarrjes së fëmijëve në tubime gjatë fushatës zgjedhore e postimeve të sponsorizuara. Për gjobitjen e subjekteve për shkelje edhe këtë herë është kujdesur Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Vlera e gjobave që iu ka shqiptuar PZAP’i subjekteve sillet rreth 360 mijë euro. Subjekti me më së shumti shkelje të evidentuara është Partia Demokratike e Kosovës, pasuar nga koalicioni AAK-PSD.

Buqeta me lule që mori nga një e mitur dhe ngjitja në skenë bashkë me të në një tubim në Lipjan gjatë fushatës zgjedhore, kreut të Partisë Demokratike të Kosovës i kushtoi me 2 mijë e 700 euro. Me këtë veprim, sipas Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Kadri Veseli e ka shkelur Kodin e Mirësjelljes.

“Subjektit politik të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i shqiptohet dënimi me gjobë në vlerë prej 2.700.00 euro, të cilën detyrohet ta paguaj në afat prej 15 ditëve, nga dita e pranimit të këtij vendimi nën kërcenim të përmbarimit“, thuhet në vendimin e publikuar në web faqen e PZAP’it.

Përveç për shkelje të Kodit të Mirësjelljes, PDK’ja është gjobitur edhe për shkelje të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme të Kosovës, përkatësisht vendosje të posterëve në hapësira publike.

“Pranohet e bazuar ankesa Anr. 149/2019 e datës 01. 10. 2019 e paraqitur nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), i shqiptohet dënimi me gjobë në vlerë prej 2.8000. 00 euro, të cilën detyrohet ta paguaj në afat prej 12 ditëve nga dita e pranimit të këtij vendimi nën kërcenimin të përmbarimit“, thuhet në vendimin tjetër të PZAP’it.

Por, Partia Demokratike e Kosovës nuk është subjekti i vetëm që është gjobitur për shkelje gjatë fushatës zgjedhore. Edhe parti të tjera janë dënuar me mijëra euro për të njëjtat veprime.

Shumica e tyre ua kanë parë sherrin përdorimit të fëmijëve në tubime dhe postimeve të sponsorizuara në rrjetin social Facebook. Në një dokument që ka siguruar Gazeta Express nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, shihet se subjekteve politike në vend u janë shqiptuar gjoba në vlerë mijëra euro.

Gjobat e shqiptuara nga PZAP’i, për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore dhe thyerjes së heshtjes zgjedhore të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvend të Kosovës të 6 tetorit 2019, kapin vlerën e rreth 360 mijë euro.

Këto gjoba janë shqiptuar për vendosje të posterave në hapësira publike, përdorim të fëmijëve në fushatë, presion ndaj votuesve, shfrytëzim të pozitës publike për përfitim të votave, përdorim të gjuhës së urrejtjes, vendosje të tavolinës dhe tendave me postera të kandidatëve e material propoganduese në rrugë publike. Gjoba janë shqiptuar edhe për shpërndarje të videove nëpër rrjete sociale dhe përdorim të fëmijëve në fushatë zgjedhore.

Sipas këtij dokumenti, partia e cila është gjobitur më së shumti për shkelje gjatë fushatës zgjedhore është Partia Demokratike e Kosovës. Vlera e gjobës që i është shqiptuar këtij subjekti politik shkon në mbi 100 mijë euro.

Pas PDK’së, renditet koalicioni AAK-PSD, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Vlera e gjobës së koalicionit për shkelje i afrohet 90 mijë eurove, derisa LDK’së i është shqiptuar gjobë në vlerë 74 mijë e 400 euro.

Pa gjoba për shkelje të Kodit të Mirësjelljes dhe thyerje të heshtjes zgjedhore nuk kanë shpëtuar as Lista Serbe, koalicioni NISMA-AKR-PD e Lëvizja Vetëvendosje.

Lista Serbe është gjobitur me rreth 37 mijë euro, NISMA-AKR-PD me rreth 40 mijë euro, derisa VV’së i është shqiptuar gjobë në vlerë mbi 14 mijë euro.

Ndërkohë, Gazeta Express ka pyetur Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me posterët e partive politike që janë vendosur në kohë fushate, përkatësisht afatin për largimin e tyre, por kryesuesi i PZAP’it ka thënë se largimi i posterëve varet nga vetë partitë dhe kompanitë që i kanë vendosur.

“Nk ka afat të caktuar që mund t’i largojnë. Kjo është çështje e subjekteve dhe kompanive që i kanë vendos kur dojnë me i largu. Vetëm gjatë fushatës s’kanë të drejtë me i vendos nëpër hapësira publike”, ka thënë Mulë Desku për Express.

Ndryshe, në bazë të rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor, partia fituese e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare që u mbajtën të dielën është Lëvizja Vetëvendosje, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Pas tyre renditet Partia Demokratike e Kosovës. Në këtë rezultat nuk përfshihen votat me kusht, votat nga diaspora dhe votat e personave me nevoja të veçanta.

Zgjedhjet e së dielës u vëzhguan rreth 30 mijë vëzhgues nga organizata vendore e ndërkombëtare. Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor u kujdesën Policia dhe Prokuroria e Shtetit, institucione këto me të cilat KQZ-ja bashkëpunon përherë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte certifikuar 25 subjekte politike për pjesëmarrje për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Mes tyre, 4 koalicione, 20 parti politike dhe 1 kandidat i pavarur.