.
×

Kjo është dashuria e parë e Aleksandër Lumezit



Botapress, 29 Dhjetor-Jemi mësuar ta shohim çdo ditë në funksionin e kryeprokurorit të Shtetit, mirëpo nuk e harron dot dashurinë e vjetër që e ka nga fëmijëria, basketbollin.

Në një rrëfim ekskluzivisht për “Zërin” Aleksandër Lumezi i tregon aftësitë e tij dhe nostalgjinë për basketbollin, sport me të cilin është marrë në rini, fillimisht si lojtar e pastaj edhe si trajner, duke e fituar madje edhe kupën. Shihet krejt ndryshe kur flet edhe për grupet më të preferuara muzikore,Pasi ka përfunduar orarin e punës si kryeprokuror i Shtetit, Aleksandër Lumezi është nisur për në sallën e basketbollit në “Don Bosko”, aty ku do të na i demonstrojë aftësitë e tij prej basketbollisti. Këtë e kishte profesion dhe pasion qysh nga mosha 14-vjeçare.

Në terminin e caktuar ai arrin nën përcjelljen e eskortës së tij. Me të arritur në sallën e basketbollit, Lumezi i entuziazmuar dhe nostalgjik për këtë sport hyn në zhveshtore për të lënë petkun e të parit të Prokurorisë së Shtetit, për të veshur atë të basketbollistit.Dashuria për këtë sport vërehet lehtë në fytyrën e tij teksa i shfaq aftësitë e tij prej basketbollisti, duke u kthyer disa vite mbrapa. Kryeprokurori Aleksandër Lumezi e pranon se i mungon shumë ky sport dhe koha kur ishte pjesë e ekipit basketbollistik “Prishtina”.

Derisa moshatarët e tij merreshin me aktivitete të tjera, Lumezi thotë se ai kishte zgjedhur basketbollin, i cili i flinte në shpirt. Ai tregon se në kohën e tij ishte trendi të merresh me këtë sport. “Më mungon shumë, unë merrem nganjëherë me të, por jo si përpara.

Dëshira ime ka qenë gjithmonë të merrem me basketboll derisa kam qenë i ri, adoleshent, faktikisht atëherë ka qenë në trend dhe shumë urbane të merresh me basketboll. Derisa fëmijë të gjeneratës merreshin me vozitje të veturave, me muzikë ose duke shkuar nëpër kafene, unë kohën më të madhe e kam kaluar duke u stërvitur nëpër palestra sportive dhe atë nga një orë ose një orë e gjysmë”, tregon Lumezi./zeri