[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Këta janë kandidatët e AAK-së për kryetarë të Komunave?



Partia e Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka vendosur të kandidojë me figura jo pak të rëndësishme nëpër ato qytete që i ka humbur zgjedhjet lokale.

Partia e Haradinajt e kishte humbur Pejën e Gjakovën, dy komuna të rëndësishme, në zgjedhjet e fundit lokale.

Kjo parti ka përgatitur disa emra për të garuar nëpër komuna, por që nuk janë përfundimtare.

Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, ka treguar për lajmi.net emrat e mundshëm që do të garojnë në disa komuna, e që sipas tij, AAK do të rikthehet fuqishëm.

Lekaj ka treguar se për kryetar të Komunës së Rahovecit kandidat i mundshëm është Smajl Latifaj, që kishte qenë edhe më herët kryetar, por ishte mposhtur nga Idriz Vehapi i PDK-së.

“Në Obiliq sigurisht do të garojmë sërish me Xhafer Gashin, në Pejë me Fatmir Gashin, në Rahovec me Smajl Latifajn, në Gjakovë me Adrian Gjinin, në Junik me Agron Kuçin. Për emra tjerë do të sjellim vendim në mënyrë graduale, por deri më tani nuk ka vendim përfundimtar, dhe kjo do të vendoset në Kryesinë e partisë”, ka thënë Lekaj për lajmi.net.

Lekaj ka thënë se Peja dhe Gjakova kanë ngecur në zhvillimin ekonomik, dhe sipas tij, AAK-ja do t’i rikthejë këto qytete për ta rikthyer edhe zhvillimin.

Ndërsa në Deçan pritet të garojë Daut Haradinaj. Haradinaj këtë e ka thënë edhe publikisht, pas marrjes së detyrës në krye të AAK-së në degën e Deaçanit.

Partia e Haradinajt në zgjedhjet e fundit lokale kishte humbur disa komuna. Pejën e kishte humbur Ali Berisha, ndërsa Gjakovën Pal Lekaj.

2017 është vit i zgjedhjeve lokale, ku pritet të ketë garë interesante në mes partive politike, e sidomos në komuna që janë më të mëdha.

AAK-ja është në koalicion për nivel qendror me partinë Nisma për Kosovën, por deri më tani, pohimet nga zyrtarët e të dyja partive janë që nëse do të ketë ujdi do të dalin edhe me kandidat të përbashkët, si rastin e Drenasit, ku AAK mbështeti kandidatin e Nismas, Isa Xhemajlajn./Lajmi.net/

Menu Title