.
×

Kështu duket Kombëtarja shqiptare pas incidentit në Beograd (FOTO)



Pas incidentit në Beograd, Kombëtarja shqiptare është grumbulluar në Durrës për dy ndeshjet e radhës miqësore ndaj Francës dhe Italisë. Kuqezinjtë duken të bashkuar si kurrë më parë.

Kombëtarja shqiptare duket më e bashkuar se kurrë më parë pas incidentit që ndodhi me 14 tetor në Beograd në ndeshjen ndaj Serbisë, e cila u ndërpre para kohe pas hyrjes së huliganëve serbë në fushë.

Ekipi kuqezi është grumbulluar në Durrës për dy ndeshjet e radhës miqësore ndaj Francës dhe Italisë, derisa në fytyrat e futbollistëve kanë qenë të buzëqeshura, të cilën e dëshmon edhe kjo foto.

Madje, Mërgim Mavraj ndihet më i motivuar se kurrë, pas ndeshjes së ndërprerë ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, të cilën më pas UEFA e regjistroi me rezultat zyrtar, 3:0 për serbët.

“U grumbulluam prapë me Kombëtaren. Kësaj radhe me një dëshirë si kurrë më parë, me një ëndërr që edhe më shumë u fut në zemrat tona. Kjo ndjenjë nuk shihet vetëm ke skuadra jonë, por tek të gjithë shqiptarët anembanë botës”, ka shkruar mbrojtësi i Kolnit në profilin e tij në rrjetin social, Facebook.

“Jemi të lidhur nga ajo ditë që asgjë dhe askush nuk mund të na mposht. Edhe pse e humbëm ndeshjen në tavolinë, ne si komb fituam shumë. Shpresoj që me ndihmën e Allahut, ta pranojmë këtë vendim si sprovë dhe ta kalojmë me sukses dhe do të shpërblehemi me diçka edhe më të mirë”, përfundoi qendërmbrojtësi kosovar.