.
×

Këshilltari i Presidentit Thaçi e krahason Azem Sylën me Jezu Krishtin



 

Botapress, 25 dhjetor-

Në këtë kohë Krishtlindjesh, jo të gjithë përcjellin mesazhe gëzimi. Njëri nga këshilltarët politik të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është i mërzitur që kjo festë po e zë në burg Azem Sylën, ish- komandantin e UÇK-së, mbi të cilin rëndon akuza për udhëheqje të një grupi kriminal që është marrë me shitjen e pronave shoqërore.

Pavarësisht veprave për të cilat ai mbahet i mbyllur në burg, Ismail Syla e sheh “Dajën” si një ndër njerëzit më meritor për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, shkruan AktivPress. Këshilltari i Thaçit thotë se dikush ka qenë i interesuar ta përdhos qëllimisht figurën e tij, ndonëse nuk e përmend në asnjë rast se Azem Syla e ka mashtruar edhe shtetin zviceran duke përfituar shuma të mëdha parash si njeri i shpallur i “paaftë”.

“Ajo që është absurde, paradoksale, e pakuptimtë dhe fundamentalisht e papranueshme është përpjekja që Azem Syla të identifikohet me krimin për përfitim ekonomik përmes pronave. Thua ky njeri paska pasur këtë qëllim jetësor? T’i gjejë ku e ku mbi 50 njerëz për të bërë përfitime ekonomike? A mund të besohet ky “kryeqëllim” jetësor i tij? Madje madje, edhe me disa serbë? Është e tepërt kapja e kokës me duar dhe klithja: “Zot, O Zot, a besohet kjo!”, ka shkruar Ismail Syla, kushëriri, njëherësh nxënësi i dikurshëm  i  Azemit.

Siç shkruan ai në një postim të gjatë në Facebook, “në thelb të arrestimit, të burgosjes, të përpjekjes për ta inkriminuar dhe akuzuar Azem Sylën është vetëm një qëllim”. “ Është mënyra e vetme që t’i prishet bukuria e personalitetit të tij. Është e vetmja metodë për ta grithur integritetin e tij të fortë. Është e vetmja mënyrë për ta përdhosur figurën e tij të lartë në radhë të parë kombëtare, pastaj politike dhe individuale”, ka shkruar Ismai Syla pas një lartësimi që i ka bërë jo vetëm Azemit, por edhe babait të tij Rizahut.

Bile ky i fundit ia kujton  interpretimin e Umberto Ecos për Jezu Krishtin, për të cilin thotë se kurrë nuk ka qeshur. “Baci Rizah me fytyrën e tij serioze, me ecjen, kujdesin ndaj familjeve të njerëzve të shtypur, të persekutuar personifikonte pozicionin e njeriut që është i vetëdijshëm se jeton në Kosovën e robëruar”, shkruan Syla.

Për Azem Sylën, ai thotë se është i kryqëzuar që 20 muaj.

“Azem Syla nuk është tri ditë por 20 muaj në kryq. Duke u kryqëzuar, duke u gozhduar. Ai nuk e ka humbur besimin në vete. As njerëzit që e njohin nuk e kanë humbur besimin në personalitetin e tij. Janë të rënda tri ditët, sa e sa muajt e shkëputjes së lidhjes me Zotin, por njerëz si Azem Syla nuk ligështohen përballë çdo braktisjeje, sado e gjatë apo e shkurtë që të jetë”, ka shkruar këshilltari i Thaçit me bindjen se Azem Sylës nuk mund t’ia nxijë biografinë askush. /AktivPress