.
×

Kërkohet anulimi i vendimit për ndërtim në Badovc dhe publikimi i dokumenteve



Ali Sefa e Egzona Shala, të dy këta përfaqësues të grupit të qytetarëve për mbrojtjen e liqenit të Badovcit, këtë të enjte kanë dorëzuar kërkesat e tyre, në Komunën e Prishtinës dhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me të cilat kanë kundërshtuar ndërtimet afër këtij liqeni.Ata kanë kërkuar që sa më parë zyrtarë të këtyre dy institucioneve të anulojnë vendimin për lëshimin e kushteve ndërtimore kompanisë, raporton KTV.

Qytetarë të shumtë, të cilët edhe u aktivizuan në mbrojtje të Badovcit, kanë kërkuar edhe debat publik me ministrin e Mjedisit, Fatmir Matoshi, si dhe me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, por që ky i fundit ka refuzuar të marrë pjesë.

Shala ka treguar se në rast se këto institucione nuk vazhdojnë të reflektojnë pozitivisht në lidhje me këtë rast do të marrin masa të tjera.Derisa edhe PDK-ja, dega në Prishtinë, ka vlerësuar se nuk ka bazë ligjore për të ndërtuar në zonën e liqenit të Badovcit.Duke kundërshtuar ndërtimin e një lagjeje në afërsi të liqenit të Badovcit, të dielën qytetarët do të organizojnë aksion pastrimi përreth këtij liqeni.