.
×

Kërkohen fonde për punëtorët që pësojnë në vendet e punës



Këshilli për Mbrojtjen, të Drejtat dhe Liritë e Njeriut pa reaguar pas rastit tragjik në Mitrovicë, ku një 28 vjeçar humbi jetën pas shembjes së një pjesë të ish-hotelit ‘Adriatik’ i cili ishte duke u rinovuar si dhe shembjes së një objekti të banimit që ishte duke u ndërtuar në Fushë Kosovë, rast i cili edhe ky ndodhi dje.

Sipas KMDLNJ, në Kosovë punëtorëve nuk u sigurohen as kushtet për punë, nuk kanë kontrata pune e as sigurime shëndetësore.

“Realisht, sot në Kosovë nuk paraqet lajm nëse ndonjë punëtor lëndohet, bëhet i paaftë përjetësisht për punë apo edhe e humb jetën për faktin se punëdhënësi nuk siguron kushte për punë për të punësuarit, nuk kanë kontrata pune, nuk kanë sigurime shëndetësore e mos të flasim për sigurime të jetës. Në 99 % të tasteve e pësojnë punëtorët në 1 % të rasteve dënohen simbolikisht punëdhënësit për të vazhduar ‘vallen e vdekjes’ të atyre që për shkak të kushteve të rënda ekonomike detyrohen që të punojnë në kushte skajshmërisht të rrezikshme për jetën, pa pasur fare siguri dhe pa u kompensuar familjet për humbje të jetës”, thuhet në reagim.

Tutje në komunikatën për media KMLDNJ-ja ka theksuar se Kosova në përgjithësi, kurse Prishtina në veçanti, janë shndërruar në kantiere ndërtimi ku punohet pa orar, në ditë feste, ditë pushimi, në kushte të rënda atmosferike dhe madje punohet edhe gjatë natës pa pasur aspak konsideratë për sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve.

Këshilli, ka njoftuar se për këtë arsye është takuar me Inspektoratin e Punës të Kosovës për të gjetur një mënyrë të dilet nga kjo gjendje e cila, sipas tyre, dita – ditës po bëhet më e vështirë dhe më e papërballueshme. KMDLNj-ja ka kërkuar heqjen e licencës së punës për punëdhënësit që nuk sigurojnë kushte për punë me ç’rast rrezikohet jeta e të punësuarve.

Gjithashtu, KMDLNj ka kërkuar që dënimet në të holla të jenë shumë më të larta dhe nga ato mjete të grumbulluara të krijohet një Fond për ata që e pësojnë dhe familjet e tyre.

“Për një punëdhënës që qarkullon dhjetëra milionë euro në fushën e ndërtimtarisë, dënimi prej 5 apo 10,000 euro është dënim për kafe prandaj edhe ka përsëritje të rasteve. Është e pabesueshme që edhe pas të gjitha jetëve të humbura për shkak të kushteve të punës, askush të mos ketë përgjegjësi para ligjit. Shteti duhet të gjejë një mënyrë që familjet që e humbin anëtarin e familjes duhet të kompensohen dhe ta kenë një pension, jo më të vogël se paga e një të punësuari në ndërtimtari. Ose duhet të ashpërsojë gjobat në rast të humbjes së jetëve apo lëndimeve, ose duhet të rrisë taksat për leje ndërtimi e që një pjesë do të derdheshin në Fondin e viktimave të ndërtimtarisë por edhe në vendet e tjera të punës e ku përgjegjësia është e punëdhënësit”, ka përfunduar KMDLNj.

Varrimi i të riut në Mitrovicë bëhet sot në orën 16:25 në varrezat e fshatit Vdimiriq. Kurse, kryetari i Mitorivcës Agim Bahtiri ditën e sotme e ka shpallur ditë zie.