.
×

Keqpërdorimi i të miturëve nën moshën 16-vjeçare do të dënohet maksimalisht në Kodin e ri Penal



Vetëm brenda 2 vjetëve të fundit, në Kosovë mbi 100 të mitur nën moshën 16-vjeçare u keqpërdorën seksualisht. Ligji, edhe pse i qartë, në nene nuk e ka të nënvizuar si vepër të veçantë pedofilinë.

Marrëdhënia seksuale me personat nën moshën 16-vjeçare është vepër e dënueshme sipas Kodit Penal, por këtu nuk përmendet taksativisht termi pedofili, raporton KTV. Profesori i së drejtës penale, Ismet Salihu, i cili është pjesë e grupit punues për ndryshimet në Kodin Penal të Kosovës, tregon arsyet pse vepra penale e pedofilisë nuk është e specifikuar.

Prokurori i shtetit, Besim Kelmendi, thotë se në Kodin e ri Penal, i cili pritet të hyjë në fuqi në prill të këtij, janë futur paragrafe të veçanta, të cilat i kushtohen kësaj vepre penale. Ai thotë se me këto ndryshime, për këtë vepër penale është paraparë në disa raste edhe dënim me burgim të përjetshëm.

E gjyqtarët, nga ana tjetër, thonë se mospërfshirja e termit si pedofili, nuk i kufizon ata që të shqiptojnë dënime maksimale. Të dhënat e Policisë tregojnë se vetëm brenda vitit të kaluar, u raportuan 62 raste të keqpërdorimeve seksuale me të mitur. Tri raste të tjera u raportuan si nxitje seksuale dhe 7 të tjera si keqpërdorim i fëmijëve në pornografi.