.
×

KEDS: Në mesin e grevistëve ka punëtorë me pagë 1800 Euro



Punëtorët e KEDS-it kanë mbajtur grevën edhe të premten. Greva filloi në ora 9:00 përkundër paralajmërimeve që ajo do të niste në ora 11:00. Kjo ka nxitur edhe reagimet e menaxhmentit të KEDS të cilët kohë më parë e kanë vlerësuar këtë grevë ilegale.

“Mbajtja e grevës dy orë më herët pos që bie ndesh me ligjin, e rrezikon edhe mbarëvajtjen e punës në sektor jetik si furnizimi me energji elektrike”, tha për Indeksonline Guri Shkodra, zëdhënës në KEDS.

Ky menaxhment e ka quajtur edhe të pakuptimtë kërkesën për ngritje të pagave sidomos nga disa individë të cilët janë më të zëshmit në grevë përderisa kan paga më të larta se 1000 Euro.

“Në mesin e grevistëve ka punëtorë që kanë pagë edhe 1800 Euro që është pesëfish më e lartë se mesatarja e pagave në Kosovë. Edhe ata kërkojnë ngritje të pagës”, thonë zyrtarisht në KEDS.

Sipas një komunikimi zyrtar të KEDS ditë më parë, rroga mesatare në KEDS është në vlerë prej 560 euro, dhe cilësohet të jetë shumë më e lartë se rroga mesatare në Kosovë. “Për më shumë, rroga minimale në KEDS tejkalon rrogën mesatare në Kosovë dhe për të qenë të drejtë në llogaritje nuk kemi përfshirë rrogat e nivelit të menaxhmentit.”, thanë zyrtarë të KEDS përmes një deklarate.

Në anën tjetër, punëtorët edhe sot këmbëngulën për ngritje të pagave të cilën ata e vlerësuan të drejtë legjitime. “Ne nuk kërkojmë lëmoshë, kërkojmë vlerësim për punën që e bëjmë dhe kërkojmë që sistematizimi i punëtorëve të jetë i rregullt. Kërkojmë të na plotësohet kushtet e punës dhe të drejtat që ne kemi si punëtorë.”, u tha në grevë.

KEDS ka vënë dyshime në legjitimitetin e vendimit të Sindikatës duke treguar dhe është e informuar që Sindikata nuk ka respektuar ligjin dhe procedurat të cilat janë të obligueshme të respektohen.

“Greva vlerësohet të jetë jo-legjitime edhe sot duke parë një numër prej 500 pjesëmarrësve që nuk bën as 1/3 e anëtarëve të vetë Sindikatës dhe një numër mjaft të vogël karahasuar me numrin e përgjithshëm të punëtorëve në KEDS që është rreth 2600 punëtorë. Nuk kishte votim të fshehtë siç kërkohet nga ligji gjë që ngrit dyshimet nëse greva kishte pëlqimin e anëtarëve të Sindikatës. Në ndërmarje private”, theksojnë në KEDS në fund të komunikimit.

Sot është dita e fundit e grevës sipas paralajmërimit të Federatës së Sindikatës së Pavarur Elektrokosova. Dy ditë rradhazi grevistët kanë marrë pjesë në grevat e organizuara në distrikte deri sa në ditën e sotme grevistët janë bashkuar në grevën e përbashkët para ndërtesës së KEDS. Greva e vlerësuar si ilegale nga KEDS, është e bazuar në vendimin e sindikatës dhe ka për qëllim ngritjen e pagave të punëtorëve të KEDS. Ndër tjerash, grevistët kërkuan ngritje të pagave prej 170 Euro dhe shkarkimin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm të KEDS.