.
×

Ka një vit që Thaçi po insiston për korrigjimin e kufijve



Botapress 27 Qeshor- Ideja e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufirit me Serbinë qe shpërfaqur në opinion një muaj pasi kishte nisur faza finale e negociatave. Derisa përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës Lindore mbeten të bindur se do të jetësohet ideja e bashkimit të Luginës me Kosovën, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se deklarimet për lëvizje kufijsh u hapin rrugë kompromiseve të dhimbshme për Kosovën.

Këtë fillimjavë, më 24 qershor, është bërë një vit prejse ka nisur zyrtarisht etapa përmbyllëse e dialogut Kosovë – Serbi. Menjëherë pas kësaj presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pati plasuar në publik idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë, respektivisht opsionin e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën.

Përgjatë këtyre muajve kreu i shtetit është zotuar në vazhdimësi se Presheva, Medvegja e Bujanoci do t’i bashkohen Republikës së Kosovës. Por ka pasur edhe raste të atilla kur për një kohë të caktuar i pari i shtetit ka qëndruar krejtësisht i heshtur në këtë drejtim, duke mos përmendur fare çështjen e korrigjimit. Megjithëkëtë, në fillim të kësaj jave Thaçi ka rikthyer në skenë sërish idenë për lëvizje të kufijve.