.
×

Jusuf Buxhovi: Nga tërrimi i pasojave me shkakun si mashtrim i qëllimshëm



-Ndryshimi që duhet të ndodh në skenën politike të vendit, duhet të mbështetet mbi pragmatizmin që mundëson marrjen me shkakun e çështjes dhe eleminon ngarendjen pas pasojave…

Nga antikiteti e deri te koha jonë, ligjet fizike, sikur kanë qenë pikënisje e interpretimit të ligjeve shoqërore dhe politike. Kauzaliteti i asaj që Arkimedi e quan “matje matematike” ka ndarë por edhe ka pëcaktaur vijat midis të kuptuarit e veprimit nga formula e shkakut te ajo e veprimit (pasojës), si dhe pasqyrimin e tyre të plotë në jetën shoqërore dhe politike në të gjitha kohët, pa marrë parasysh sistemet mbi të cilat janë ndërtuar dhe zhvilluar.

Nëse nuk ka pasë dhe as që ka mundësi të ndryshohet doktrinariteti midis shkakut dhe pasojës dhe as t’i shtohet aso mungohet diçka, përkundër “teorisë së infinitit”, pra të parimit që dëshmon se relativiteti është pjesë e ndryshimit që kundërshton çfarëdo dogme që mund të ngritet mbi të, siç ka vepruar religjioni dhe ideologjia, megjithatë nuk ka munguar ngatërrimi i shkakut me pasojat, si veprim i qëllimshëm për të zhvendosur rregullat dhe të vërtetat në përputhje me fuqinë politike dhe monopolet e caktuara shoqërore që kanë ndikuar dhe ndikojnë sistemet e vlerave.

Në rrethanat tona,ngatërrimi i qëllimshëm midis shkakut dhe pasojës ngre shumë çështje, nga ato morale, politike, intelektuale te një shoqërie e cila nuk ka qenë në gjendje që tranzicionin (kapërcimin nga totalitarizmi në demokraci liberale), përkundër implikimit në të të faktorit ndërkombëtar, ta shfrytëzojë për këtë qëllim, por për të kundërtën, gjë që gjithë faktorët e saj përfshirës i vë para përgjegjësia historike…

Pa hy në pasqyrimin e thellë të këtij zhvillimi si dhe gjendjen që ka prodhuar në planin shoqëror dhe politik, veçmas në rrënimin e gjithëmbarshëm të sistemit të vlerave, megjithatë duhet thënë se vënia në binarë të duhur të një procesi që gjithsesi nënkupton perceptimin e tij si kthesë të madhe të përmasave historike (sadoqë që tingëllon ashpër), kërkon kthimin te kauzaliteti i formulës së shkakut, pra shkaktarit, dhe jo i fokusimit të pasojës, me ç’rast populizmi ia zë vendin pragmatizmit politik mbi konceptet themelore të ndryshimit.

Kjo pikënisje, ka rëndësi të madhe, meqë krahas zbarkimit nga militantizmi me të cilin është indoktrinuar skena politike dhe shoqërore me faktorët e saj manipulues, në radhë të parë klientenizmi politik që ka përfshirë thuasje të gjithë aparatin shtetëror, atë arsimor dhe strukturat tjera ku një rol të madh luajnë edhe veteranët e rremë si katalizator i këtij sistemi të kapur, njëherësh ndihmon që politika të ndërtohet mbi parime të qarta, ku ndryshimi duhet të përfshijë faktorët që e rikthejnë autoritetin e shtetit të rrënuar në përputhje me shtyllat kryesore të tij: gjyqësori, policia, ekonomia dhe të tjera, me çka krijohen rrethanat për nj shtet të lirë, demokratik, ku respektohet mendimi i lirë në përputhje me konceptin e sekularizmit shtetëror dhe laicizmit arsimor dhe kulturor të qytetërimit perëndimor.

Ndryshimi mbi këto parime, pra ku nuk do të ngatërrohen pasojat me shkatarët, ndërsa pragmatizmi politik do të ndjek logjikën e shtetit të së drejtës, sigurisht se duhet ta ndryshojë edhe diskusin e tanishëm të sjelljes së zhurmshme kur humbja e autoritetit të shetit nga klasa politike që e ka kapur atë dhe rrënuar gjithë sistemin e vlerave, është zëvendësuar me ndërhyje ekscesive të politikës represive ndaj lirive dhe të drejtave qytetare dhe mendimit të lirë në përgjithësi, që gjoja për të treguar se “po lufton terrorizmin”, burgos ndonjë klerik (klerike) për shprehje të mendimit të lirë (edhe kur kjo bëhet mbi normat e fanatizmit fetar ose si viktimë e radikalizmit militant), ndërkohë që po kjo politikë, e cila ka shkelur brutalisht të gjitha liritë dhe të drejtat njerëzore deri te kthimi i shteit në faktor terrori, ndonëse ka qenë më se e qartë se ka shkelë parimin e sekularitetit të shtetit të garantuar me kushtetutë, ka vepruar edhe drejt keqpërdorjes së religjionit për qëllime klienteniste apo të përfitimeve kriminale nëpërmes pastrimit të parave me rastin e ndrëtimit të objekteve të kultit dhe lejimit të veprimtarisë së shoqatave gjoja humanitare të fshehura nën petkun religjioz, që kanë ushqyer fanatizëm fetar radikal deri te përmasat që identiteti kombëtar të zëvendësohet me atë fetar dhe të ngjashme!