[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Jusuf Buxhovi: Ditari i karantinës



“Ditari i karantinës”, si shtojcë, do të bëhet pjesë e romanit “Shënimet Gjon Nikollë Kazazit” të botuar në vitin 1982 me shumë botime dhe i përkthyer në disa gjuhë botërore. Ç’është e vërteta, kjo nuk është “ndërhyrja” e parë që i është bërë veprës. Autori ka bërë disa ndryshime gjuhësore dhe stilistike në botimin e vitit 1990.

Ndërsa në vitin 2016 bëri disa plotësime në vetë konceptin e veprës, me ç’rast, mbijetimi në rrethanat e murtajës dhe përpjekjet për ta luftuar atë me anën e grrithjes, ndërlidhen me aspektet e “metastazimeve” të përvojave jetësore dhe filozofike nga dijet e vjetra, të cilat rikthehen në rrethana të situatave me qenë ose mos me qenë, siç ishte murtaja, involvimi imagjinar i së cilës kthehet në një metaforë të së keqes.

Botimi më i ri, që doli nga fundi i vitit të kaluar nga botuesi “Pena”, shfaqet me idiomat e shumta të gegnishtes, si pjesë e pasurisë së gjuhës shqipe, me të cilat karakterizohet e folmja e Gjakovës, Rekës së Keqe dhe e Malësisë së Gjakovës. Me rikthimin e paskajores, pjesores dhe i disa nazaleve është synuar që personazhet, me anën e të folmes autentike, të pasqyrojnë karakteret tipike të kohës dhe të rrethanave dhe veçmas psikologjinë e një bote autentike, ku naracioni ekzistencial nuk shfaqet vetëm si formë e thjeshtë e mbijetimit në rrethanat e shkëputjeve dhe të mbylljeve shpesh herë nga jashtë të apostrofuara “si sjellje primitive” e të ngjashme, por si refleks i një kozmogomie universale që reflektohet me raportet me tokën, qiellin, diellin dhe natyrën në përgjithësi, që pasqyrohen në lutje (“pasha tokën”, “pasha qiellin”, “pasha gurin”, “për besë”) në toponomi, antroponomi e të tjera…

“Ditari i karantinës”, pjesë të së cilës prej disa ditëve po qarkullojnë në media, do të shfaqen si shtojcë-variant, ku ruhen në tërësi personazhet, ngjarjet e murtajës në versionin e parë të vitit 1982, por që “korniza autentike”, ajo e ngjarjeve të vitit 1747, përfshin reflektimet e kohës sonë me dramat dhe tragjeditë, që po e përcjellin atë në format më autentike si formë e “përsëritjes së të njejtës”, që Shopenhaueri e sheh si “mallkim të njerëzimit”.

Ndonëse autori e din se historia nuk përsëritët, megjithatë, me këtë rast, me anën e narracionit imagjinativ, synon ta tregojë se kjo është e mundshme madje, ngaqë te qenia njerëzore, lufta midis së mirës dhe së keqes, është pjesë e natyrës së tij, që nuk e ka zgjidhur as mitologjia, as filozofia, as religjioni, e aq më pak politika, e cila kërkon ta kthejë në kredo të sjelljes së saj fund e krye mashtrimtare…

Menu Title