.
×

Jo zgjedhje, përmbysje totale te sistemit diktatorial!



fllrim zeqa
                                                                                                                                Nga    Florim Zeqa
” Mos besoni kur të ju thonë se kafshët dhe njerëzit kanë interesa të përbashkëta, se mirëqenia e njërit është mirëqenie edhe për tjetrin. Të gjitha këto janë mashtrime. Njeriu nuk i bën hyzmet asnjë lloj interesi, veç përfitimit të tij. Dhe le të mbretërojë midis nesh, kafshëve, një unitet i plotë mendimi e veprimi, një shoqëri e vërtetë në betejën e përbashkët. Të gjithë njerëzit janë armiq, të gjitha kafshët janë shokë…”  ( Georg Orwell ).
Nisur nga kjo thënje e Georg Orwell-it, domosdo parashtrohet pyetja; Cilit grup i përkasim ne të gjallët e robëruar të shtetit në inkubator, apo shtetit pa institucione.
Po bëhen gati katër muaj nga përfundimi i zgjedhjeve të 8 qershorit dhe ne si popull vetëm po bëjmë “sehirë” duke vëzhguar lojen mes dy blloqeve politike!
Kasta aktuale politike e vendit e barrikaduar në dy blloqe politike, tani e katër muaj po e mbajnë peng shtetin, duke marrë paga të majme në emër të popullit pa bërë asgjë për të mirën e tij, janë interesat e tyre meskine qe po e mbajnë peng të ardhmën e vendit dhe qytetarëve të saj.
Pas ndërprerjes dhe shtyrjes së njëpasnjëshme të seancës së kuvendit nga ana e partisë në pushtet, vota nuk është më mjet për largimin e uzurpatorëve nga pushteti, ngase vullneti i qytetarëve nuk po përfillet, përkundrazi po ndrydhet dhe shtypet në vazhdimësi, nga dita në ditë, nga java në javë, nga muaji në muaj,nga viti në vit, nga zgjedhjet në zgjedhje!
Tani, në momentin kur 70 % të deputetëve u mohohet e drejta për të vendosur në kuvend, i vetmi opsion për largimin e uzurpatorëve nga pushteti ka mbetur demonstrimi i vullnetit qytetar, jo më tek kutitë e votimeve, por çdo kund tjetër dhe çdo ditë deri në përmbysjen e përfundimtare të këtyre kusarëve politik.
Demonstratat dhe protestat masive paqësore dhe demokratike, traditë e levizjes paqësore, që në fundvitet e 80-ta dhe në fillim të 90-ve që gjunjëzuan sistemit okupues dhe totalitar të Millosheviqit,…më lehtë dhe më shpejtë do ta përmbysnin sistemin mafioz dhe totalitar të uzurpatorëve të të gjitha llojeve të pasluftës në Kosovë.
Bojkoti dhe padëgjueshmëria qytetare janë më të nevojshme se kurrë më parë.
Nuk duhet lejuar të shkohet më tutje me këto lojra të pista politike,…ku dikush luan rolin e pushtetarit e dikush tjetër merrë rolin e çlirimtarit në shtetin pa institucione, pa ligje dhe pa demokraci.
Nuk duhet lejuar edhe me tutje të luhet loja e pasiqert dhe e pandershme e partive politike me votuesin kosovar; t’i mirret vota në emër të një subjekti politik  dhe më pas e njëjta votë të shitet dhe kontrabandohet paturpërisht tek subjektet tjera.
Nuk duhet lejuar edhe më tutje degradim të institucioneve të pavarura të vendit siq janë: drejtësia, arsimi, shendetësia,…kultura, sporti, etj, që janë shëndrruar nga institucione në shërbim të qytetarëve në filiale të pushtetmbajtësve.
Nuk duhet lejuar edhe më tutje lojërat e atyre, që institucionet e shtetit i kanë shëndrruar në pronë private apo objekt të pasurimit të tyre,…të atyre që për më tepër se gjashtë vite mbajtën peng zhvillimin ekonomik dhe levizjen e lirë të qytetarëve, duke mbajtur të izoluar dhe të pashpresë mbi dy milion njerëz të këtij vendi.
Zgjidhja e “ngërçit” politik nuk duhet kërkuar tek ndërkombëtarët dhe as të zgjedhjet e jashtëzakonshme. Ka ardhur qasti që zgjidhjen ta bëjë vet populli, në mënyrën si përmbysen çdo kund në botë uzurpatorët dhe sistemet totalitare të udhëhequra nga diktatorët.
Diktatorët nuk vetdorëzohen, ata largohen nga populli !
Vërtetë, nëse edhe në këtë situatë ka njerëz që u besojnë iluzioneve të kastës aktuale politike, atëherë problemi nuk qendron tek ata, por tek ne, të robëruarit e tyre !