.
×

Jeta e vështirë në strehimoren kolektive në Dubravë (Video)



Rreth 100 persona banues në strehimoren kolektive në Dubravë të Ferizajt jetojnë në kushte të vështira, ankohen se nga kjo gjendje tepër e rëndë po u rrezikohet shëndeti fëmijëve dhe pleqve. Gjendja e tyre është rënduar edhe më shumë pasi që për shkak të borxhit atyre u është ndërprerë edhe energjia elektrike.

13 familje të komunitetit ashkali jetojnë në kushte të rënda. Objekti i strehimores kolektive për shkak të izolimit jo të mirë dhe shkaku i lagështisë së madhe ka krijuar myk i cili po ua rrezikon shëndetin banorëve.

Pavarësisht se janë të aftë për punë nuk kanë gjetur punë asnjëherë. Që të gjithë jetojnë me ndihmë sociale, por edhe 80 eurot që u takojnë nuk i marrin rregullisht.

Në mesin e tyre ka të sëmurë e invalidë ndërsa barnat nuk ua siguron askush.

Vitin e kaluar ishin ndihmuar me dru për ngrohje ndërkaq këtë vit Komuna e Ferizajt nuk ua ka mundësuar një gjë të tillë./KTV/