.
×

Jehona Berisha: Vlera dhe koncepti i saj



Koncepti i vlerës është term i gjerë, që në përgjithësi përcakton masën me të cilën shpërfaqet individualizmi, kolektiviteti, pastaj edhe produkti, rendimenti. Pra ne përcaktohemi për vlerën, ose shkallën e vlerës, ta zëmë nga një deri në dhjetë e kësisoj avancojmë drejt një diferencimi, mes asaj që duhet dhe asaj që nuk duhet, ose asaj që është e mirë, relativisht e mirë, dhe e kundërta e vlerës:  e keqe, relativisht e keqe apo shumë e keqe. Përmes këtij prizmi ne përpiqemi të gjejmë vlerën dhe vlerat mund të jenë të shumëllojta.

Shoqëria vazhdimisht është aktive për të krijuar sa më shumë vlera, sepse vlerat që shprehen në familje, arsim, sport, art, kulturë e shkencë  etj, janë determinantë të një shoqërie progresive dhe ky është kuptimi më i ngushtë dhe më perceptues për vlerën. Kësisoj ne gjithnjë mund të zgjerohemi në shpjegimin e vlerës si koncept.

Profesor Dr. Lulzim Murtezani, thotë se vlerat janë gjëra interesante dhe delikate dhe se origjina e vlerave lidhet me zhvillimin e personalitetit të njeriut, ku shton se deri në moshën dhjetë vjeçare të fëmijes nuk diskutohet shumë për vlerat,  për arsye të zhvillimit të pamjaftueshëm  mental të fëmijeve të kësaj moshe për të perceptuar idenë se çka është vlerë, që sipas tij, ato zakonisht i importojnë prej prindërve.

“Mosha dhjetë vjeç llogaritet  se është fillimi i krijimit të vlerave dhe këtu shtrojmë një pyetje shumë interesante. Pra burim i vlerave është familja, prindërit. Kjo ishte një ide e vjetër e cila transmetonte vlerat e prindërve tek fëmijët, por studimet e reja tregojnë se ka edhe disa variabla të tjera, terciare, të cilat ndërhyjnë të transmetojnë vlerat nga prindërit tek fëmijët”, shpjegon tutje ai, duke pohuar se këto variabla janë: rrethanat në shoqëri, digjitalizimi, rrethanat politike, ndërkaq merr si shembull studimet që vazhdojnë të bëhen me fëmijët e emigrantëve, e ku  është vërtetuar se ata që janë rezidentë kanë më shumë ngjashmëri mes  prindërve sa u takon vlerave, kurse klima e re, kulturë e re në një shtet të ri ndërhyn në vlerat që do të kenë fëmijët e emigrantëve.

Profesori shpjegon se vazhdohet të diskutohet ajo se ka ngjashmëri mes prindërve dhe fëmijeve në lidhje me atë sa i takon punës e aspektit religjioz, e më pak sa i përket vlerave që kanë të bëjnë me stilet e jetesës, prandaj kjo tregon se jo të gjitha vlerat barten nga prindërit tek fëmijët.

Sipas tij, është vërtetuar se nënat e shkolluara ose prindërit elitarë, kanë një ndikim tek fëmijët e tyre, pasi ata imitojnë prindërit në bazë të aktivitetit, mburrjes, vetëbesimit, ndërsa fëmijët të cilët janë të shtresës më të ulët, këta faktikisht, apsorbojnë vlera të te qenit komformist, ku shton se  përveç diskutimit për ndikimin e prindit te fëmijët, diskutohet edhe ndikimi i fëmijës tek prindi, pra ekziston një raport i ndërsjellë i bartjes së vlerave.

“Sa u takon çështjeve që kanë të bëjnë me prurjet e reja të kulturës, me ndikimiet e rrjeteve sociale e kështu me radhë, të dhënat tregojnë se amortizohet influenca e prindërve në ndërtimin e vlerave te fëmijët. Kur diskutojmë për vlerat, na bëhet e ditur se njeriu është qenie subjektive, se prindi është subjektiv në mënyrën si i edukon fëmijët dhe dihet se çfarë vlerash i jep fëmijes së parë, të dytë e të tretë, por mbi të gjitha është vërtetuar shkencërisht se sa me rëndësi është taktika, apo stili i edukimit, se prindi duhet me argumente të krijojë vlera tek fëmija i tij, e jo të bëhet asi prindi që fëmijën e bën të mendojë se është më i miri në botë, sepse transmeton te fëmija vlerë narcisoidi. Ne mund të flasim për vlera të altruizmit dhe shumë gjëra të tjera të vlerave.  Përmes edukimit tonë kultivojmë vlerat tek të rinjt tanë. Nëqoftëse se institucionet, shkolla xhamia, arrin të kultivojë vlera  të hapura, vlera demokratike, atëherë edhe shoqëria do të jetë më e përparuar”.

Profesor Murtezani, duke u ndërlidhur me situatën politike, e dilemat që ai i quan absurde,  siç është ajo nëse duhet apo jo integrimi  në NATO dhe BE, potencon se është e rëndësishme që të argumentohen bindja tek të rinjt lidhur me atë se këto vlera demokratike duhet t’i përqafojnë dhe se në situatën e tanishme, ku dominon depresioni e gjërat e paparashikuara, në një situatë kaotike dhe jo të menagjuar si duhet, shoqëria jonë do t’i ketë po këto vlera që janë të imponuara e që vijnë qoftë përmes mediumeve e manipulimeve të ndryshme. “Nëse fëmijët në pubertet përballen në mënyrë të pakontrolluar nga mediumet e pakontrolluara, konsekuencat mund të jenë shumë të rrezikshme e kësisoj kur flasim për këto çështje, në flasim edhe për ato gjëra që nuk janë vlera. Nëse shoqëria nuk menaxhon në mënyrë të denj gjërat, atëherë do të kemi kaos. Nëqoftëse në shkollë dhe studime në mësojmë të rinjt për vlerat e jo plagjiaturës, por të origjinalitetit, i mësojmë për vlerat që kanë të bëjnë me korrektësinë, drejtësinë, autonominë, lirinë e gjëra të tilla, ndërkaq kur në praktikë përballen me vlera të kundërta, atëherë edukimi jonë do të venitet, sepse test më i mirë i teorisë është praktika. Përballja me diçka që është kontradiktore. E tillë është për shembull do të kryej fakultet dhe do të punësohem, do të krijoj komoditet dhe do të bëj karrierë, por nëqoftëse përballet me një realitet tjetër, atëherë është normale të ndodhë ajo që ndodh në ditët e sotme, kur asnjë strategji nuk është e sukseshme për t’i ndaluar të rinjt të largohen nga vendi. Institucionet duhet të punojnë në këtë drejtim”

Ai pohon se vlerat janë rezultat i përvojës së përbashkët dhe kjo na bën të ditur se kulturat kanë korelacion me sistemin e vlerave te njeriut dhe se në kulturat pro inidividualiste, respektohet individualiteti, këtu tek ne në kulturat kolektiviste, padyshim se kemi vlera të tjera të cilat i kultivojmë dhei transmetojmë tek të rinjt.