.
×

Java e ardhshme, java vendimtare e zgjidhjes së “nyjes” politike në vend!



Bllokada politike në vend sinjalizohet të jetë drejtë zhbllokimit. Java e ardhshme do të jetë vendimtare për zgjidhjen e kësaj situate që ka mbajtur vendin peng tash e pesë muaj.

Vazhdimi i kësaj krize ka filluar të bëhet tashmë i padëshiruar për të gjitha palët e përfshira në të, madje edhe për faktorin ndërkombëtar. Ndonëse presidentja nuk ka dhënë një afat kohor se deri kur do të presë liderët partiakë të gjejnë një zgjidhje, ajo ka lënë të kuptohet se nuk do të presë gjatë për zgjidhjen e situatës.

Ndërkohë nga LDK-ja janë shtuar zërat që zgjidhja mund të vije gjatë javës së ardhshme. Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se takimet e vazhdueshme që janë shtuar gjatë javës që po lëmë pas, janë sinjali më i qartë së se bllokada politike ka hyrë në fazën e saj të fundit dhe se zgjidhja nuk është larg.

“Ka pasur përpjekje jashtëzakonisht të mëdha këtë javë, angazhime të pandërprera dhe takime jashtëzakonisht të shpeshta mes partnereve të koalicionit në përpjekje për ta gjetur rrugën dalëse drejt ndërtimit të institucioneve, që i bije, së pari konstituimi i Kuvendit e pastaj pjesa tjetër është më e lehtë. Unë shumë besoj se java e ardhshme do të jetë vendimtare”, ka thënë Haziri për Radio Dukagjinin.

Ndërkohë nga po e njëjta parti ditë më parë Bajram Gecaj, pati thënë për gazetën se Blloku e ka në plan që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë, por këtë opsion nuk e kanë ndërmend ta përkrahë partia e Albin Kurtit.

Erzen Vraniqi nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë për Tribunën se subjekti i tij do të vazhdojë të bashkërendojë qëndrimet me bllokun LAN, dhe se sa më parë që krijohen institucionet aq më mirë do të ishte për vendin.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk do të kërkojë sqarime shtesë nga Gjykata Kushtetuese, ashtu siç nuk ka kërkuar as nga presidentja. Kjo për faktin se vendimin e gjykatës e konsiderojmë vendim politik të anshëm dhe vendim të padrejtë. Ne mbajmë takime të rregullta me koalicionin LAN dhe i harmonizojmë qëndrimet tona. Zgjidhja është në aplikimin e parimit të shumicës parlamentare në Kuvend për t’i formuar institucionet dhe sa më parë që të ndodhë kjo, aq më mirë”, ka thënë Vraniqi.  (Indeksonline)