[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Januzaj: Jam i lumtur për Kosovën, do të kualifikohet në Evropian



Në një bashkëbisedim me mbrojtësin anësor të Kosovës, Benjamin Kolollin, Adnan Januzaj bëri të ditur se ai i shikon ndeshjet e Kombëtares së Kosovës dhe se beson në kualifikimin e Dardanëve në Evropianin që zhvillohet verën e ardhshme.

Në vitin 2013 ishte raportuar se Adnan Januzaj kishte mundësi të luante për disa Kombëtare të ndryshme – Belgjikën për shkak se kishte lindur atje dhe kishte pasaportë belge, Shqipërinë për shkak të prejardhjes së tij dhe Kosovën, e cila nuk ishte e pranuar në UEFA dhe FIFA ende. Januzaj i kishte opsion edhe Serbinë, Turqinë dhe Kroacinë, transmeton Gazeta Express.

Për këtë gjë, babai i futbollistit, Abedini, kishte thënë: “Nuk po ua mbyllim derën Shqipërinë sepse jemi shqiptarë. Megjithatë, ata po ia mbyllin deren vetes. Unë bashkëpunoj vetëm me profesionistë. Nuk do ta zgjedhim Serbinë, Turqinë apo Kroacinë sepse s’kemi asnjë lidhje me ato vende”.

Në tetor të vitit 2013, trajneri i Anglisë, Roy Hodgson, kishte thënë se ata janë duke e vëzhguar situatën e Januzaj dhe mund ta thërrasin nëse ai merr nënshtetësi angleze, megjithatë për këtë gjë, Januzaj do të duhej të kalonte edhe pesë vjet të tjera në Angli.

Edhe pse Januzaj kishte luajtur ndeshje me ekipin e parë të Belgjikës, ai pati mundësi të kalojë në ekipin e Kosovës në vitin 2016, pasi që Kosova nuk kishte qenë anëtare në UEFA dhe FIFA kur ai kishte debutuar për Belgjikën. Megjithatë, ai zgjodhi të vazhdojë me Belgjikën edhe më tutje.

Përkundër kësaj, Januzaj ka bërë të ditur – përmes një bashkëbisedimi në Instagram në gjuhën frënge me Benjamin Kolollin – se ai i shikon gjithmonë ndeshjet e Kosovës dhe se beson në kualifikimin e Dardanëve në Evropian.

“Jam i lumtur për Kosovën, e shikoj çdo herë dhe ata do të kualifikohen në ‘Euro 2020”, u shpreh Januzaj.

 

 

Menu Title