.
×

Ja skenari i detajuar i opozitës për protestën e 28 nëntorit



Tri partitë opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën tashmë kanë finalizuar edhe skenarin e protestës së nesërme, për ditën e 28 nëntorit.

Kësaj radhe, opozita ka vendosur që të marrë pak edhe nga skenari i 10 shkurtit 2007.

Nga burime brenda opozitës, ORAinfo mëson së tre liderët e opozitës i kanë ndarë edhe temat e fjalimeve dhe secili prej tyre do të theksojë çështje të veçanta.

Protestuesve i pari do t’iu drejtohet lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, i cili më së shumti do të flas për Asociacionin e komunave serbe. Pas Ymerit, protestuesve do t’i drejtohet lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili fjalimin e tij do ta përqendrojë kryesisht në përndjekjen politike të deputetëve dhe në demarkacionin me Malin e Zi. Ndërsa, pas Haradinajt do të flas edhe lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, i cili fjalimin do ta ketë më të përgjithshëm.

Pas përfundimit të fjalimeve, opozita do të kërkojë nga protestuesit që të shkojnë në mënyrë simbolike para ndërtesës së Qeverisë.

Ndërsa, kur protestuesit të arrijnë te ndërtesa e Qeverisë, atëherë atyre do t’iu bashkohet edhe Albin Kurti, i cili do të flas para protestuesve dhe do të mundohet që ta “ndezë” turmën dhe të influencojë mbi sjelljen e tyre që të futën në objektin e Qeverisë.

Nëse nuk arrijnë që ta ndezin turmën dhe të ndikojnë mbi sjelljen e protestuesve, opozita shpreson edhe në përpjekjet e Policisë së Kosovës për të arrestuar Albin Kurtin, të cilat opozita do t’i shfrytëzojë për të ashpërsuar formën e veprimit të turmës dhe për ta nisur protestimin e dhunshëm me mjetet dhe metodat e tyre të dhunshme. Eskalimin e protestës të thirrur si paqësore, liderët e opozitës, me deklarata publike pastaj do të mundohen ta arsyetojnë që ka ardhur pas përpjekjeve të policisë për të arrestuar Kurtin dhe si provokim i protestuesve prej Policisë së Kosovës. /ORAinfo/