.
×

Ja si u mundua ta mashtroj Serbia Kombëtaren shqiptare



Serbet u munduan me çdo kusht ta nxirrnin Kombëtaren shqiptare në fushë, duke gënjyer se kjo është kërkesë e delegatit të UEFA-së

Federata serbe u përpoq me të gjitha mënyrat që ta nxirrte skuadrën shqiptare në fushë. Kjo, pasi e dinin mirë se nëse ndeshja e ndërprerë nga gjyqtari për akte dhune nuk vazhdonte, atëherë dënohet skuadra pritëse, shkruan “Panorama Sport”.

Vetëm pak minuta pasi futbollistët kuqezi dhe stafi kishin hyrë në tunel, dy zyrtarë serbë tentuan të mashtrojnë delegacionin shqiptar, duke manipuluar deklaratën e delegatit të UEFA-s.

Afro 10 minuta pasi lojtarët shqiptarë kishin hyrë në dhomat e zhveshjes, dy zyrtarë serbë janë afruar pranë delegacionit shqiptar dhe i kanë kërkuar të nxjerrin skuadrën në fushë.

“Morëm urdhër nga delegati i UEFA-s që ndeshja të rifillojë. U thoni lojtarëve që të dalin sërish në fushë, sepse ky është udhëzimi më i fundit nga UEFA. Skuadra jonë sapo doli…”, kanë qenë deklaratat e zyrtarëve serbë.

Reagimi Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, duke njohur edhe rregulloren, ka frenuar zyrtarët serbë, duke u thënë se nuk kishin pasur asnjë komunikim me delegatin e UEFA-s.

“Delegati nuk ka komunikuar me ne dhe ai është i detyruar të komunikojë me të dyja palët para se të marrë një vendim. Nëse është e vërtetë kjo që po thoni ju, atëherë le të vijë delegati i UEFA-s që të na e komunikojë vetë vendimin. Ka një procedurë kjo punë dhe më parë duhet të pyeten edhe lojtarët”, u ka thënë Shulku zyrtarëve të Federatës serbe.

Më pas serbët kanë këmbëngulur, por pala shqiptare ka pritur derisa ka ardhur vetë delegati.