.
×

Ja përbërja e re e Kryesisë së LDK-së! Mësoni kush do të hyjë e kush do të mbetet jashtë Kryesisë!



Lidhja Demokratike e Kosovës e drejtuar nga Isa Mustafa, shumë shpejt do të jetë me Kryesi të re. Kështu i kanë thënë Gazetës Blic burime brenda kësaj partie. Sipas burimeve të gazetës Blic, në Kryesinë e re të Partisë pritet që të ketë edhe disa emra që deri më tani nuk kanë qenë, por edhe që disa të tjerë të largohen.

Sipas këtyre burimeve, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, mund ta zëvendësoj në postin e sekretarit të përgjithshëm Ismet Beqirin, i cili pritet që të futet si anëtar i Kryesisë.

Sipas burimeve të Gazetës Blic, në kryesi të paktën do të jenë tri femra: ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Hykmete Bajrami; shefja e Kabintetit të kryeministrit, Vlora Dumoshi; dhe deputetja nga Gjilani, Lirie Kajtazi.

Gazeta ka mësuar se Vjosa Osmani, e cila e sfidoi Isa Mustafën në zgjedhjet për kryetar të ri të LDK-së, nuk do të jetë më pjesë e organit më të rëndësishëm të partisë.

Sfidimi i Isa Mustafës, Osmanit i ka kushtuar edhe me mos përfshirjen e saj në listën për anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të partisë. As Teuta Sahatçiu nuk do të jetë pjesë e Kryesisë, e cila dështoi keq gjatë zgjedhjeve që në nëndegë.

Siç mëson Gazeta Blic, në Kryesi nuk do të përfshihet fare as kryetari i degës së LDK-së në Prizren, Haxhi Avdyli, i cili e propozoi Vjosa Osmanin për kryetare të partisë.

Sipas burimeve të Gazetës Blic, as Arben Gashi, nuk do të jetë pjesë e Kryesisë. Ndërkaq, Agim Veliu dhe Lutfi Haziri pritet që të jenë nënkryetarë të partisë.

Pos tyre, në Kryesi do të jenë edhe: Haki Rugova, Skender Hyseni, Sali Morina, Avdullah Hoti, Gazmend Muhaxheri, Kujtim Shala, Muharrem Sfarqa, Sabri Hamiti.

Gjithnjë, sipas këtyre burimeve, gjasat për të hyrë në Kryesi i kanë edhe kryetari i degës së Suharkës, Sali Asllanaj, dhe ish- kryetari i degës së Mitrovicës, Sadri Ferati.

Ndërkohë, ende nuk dihet nëse do të përfshihet në Kryesi, deputeti Armend Zemaj.

Gazeta Blic ka provuar që të flas me zyrtarët e LDK-së për të mësuar më shumë rreth emrave të mundshëm në kryesinë e re të partisë, mirëpo askush nuk ka dashur të flasë për këtë temë.