.
×

Ja kush ishin “agjentët” vullnetarë të NATO-s gjatë luftës në Kosovë



Botapress, 28Gjurmët e prangave dhe të zinxhirëve të shtrënguar fort në kyçe janë dëshmi e pashlyeshme e dhunës së ushtruar nga pjesëtarët e shërbimeve sekrete të ushtrisë dhe policisë serbe. Veshka e majtë iu “zhduk” në trup për shkak të torturave. “Më ishte ndalur qarkullimi i gjakut dhe mjeku më tha se veshka nuk të ka mbetur sa një kokërr e fasules”, thekson Sabit Hoxha (64).

Në pjesën e gojës dhe të hundës nuk ndiej asgjë prej rrahjeve me kondakë armësh e shkelma të dhjetëra policëve që erdhën të më arrestonin”. Hoxha ishte në rrugën para shtëpisë me fqinjin Muhamet Islami pasditen e së dielës së 2 majit 1999, kur i ndaluan rreth tridhjetë policë. Nuk do të merreshin me Islamin pasi identifikuan Hoxhën, shkruan sot Koha Ditore.

“Kurse mua, një grup prej rreth 25-30 policësh filluan që të më sulmonin me të gjitha mjetet që kishin, duke kërkuar nga unë informacione rreth përkujdesjes së familjeve, grumbullimit të ndihmave dhe informatave të dërguara Shtabit të UÇK-së në fshatin Jezerc për pozicionet e forcave policore dhe ushtarake serbe, që njëherësh ia përcillte Aleancës Atlantike – NATO-s, për çka akuzohesha si spiun i NATO-s, sepse isha kryetar i Komisionit të Informimit në Nëndegën e Parë të LDK-së në qytet dhe kryetar i Nëndegës.

Isha edhe kryetar i Komisionit të Solidaritetit”, thekson Hoxha, në njërën prej kafeneve në rrugën “Zenel Hajdini” në Ferizaj, teksa në sfond dëgjohet kënga “Hymn for the weekend” e “Coldplay”. Muzika dhe diskutimet e fqinjëve në kafene nuk e shpërqendrojnë, megjithëse një burrë në tavolinën te dritarja dëgjohet teksa u tregon miqve se Hoxha ishte njëri prej të arrestuarve që ishin nxjerrë të prangosur e kokulur para kamerave të mediave serbe e të huaja para gjykatësit Spasoje Mitroviq në Gjykatën e Gjilanit.

Bashkë me të në majin e vitit 1999 ishin edhe Njazi Hajdari e Fadil Kallaba, të cilët akuzoheshin se kishin identifikuar pozicionet e forcave serbe dhe se informacionet e tyre kishin mbërritur në komandën e NATO-s. Hoxha nxjerr në tavolinë qindra faqe dokumentesh të aktiviteteve të ndryshme e dosjen e sistemit serb për ta. Ndër to, edhe “arsyetimin” se pse ishte kërkuar arrestimi i aktivistëve të Degës së LDK-së në Ferizaj. Arrestimit i kishin shpëtuar ish-kryetari i Ferizajt, Adem Salihaj, aktivistët Gani Mustafa, Hasan Abazi, Ilaz Vladi dhe Jonuz Rexhepi. Në dokumente ka edhe emra bashkëpunëtorësh të secilit. Të gjithë akuzoheshin “me dyshimin e bazuar se gjithsecili prej këtyre ka kryer nga një vepër penale të spiunimit…”

Në “arsyetimin” e organeve serbe, Salihaj është i katërti në listë. Në dokumentin që e prezanton Hoxha, thuhet se Salihaj kishte seleksionuar informacionet e aktivistëve për pozicionet e forcave luftarake serbe, duke ua dërguar me telefon satelitor Shtabit të “UÇK-së në Shtërpcë” – thuhet aty – forcave të NATO-s në Maqedoni e Shqipëri, si dhe mediave të huaja. Hoxha i përmend disa “Motorola”, por nuk lëshohet në detaje….