.
×

Ja çka tha sot Anton Quni në Kuvendin e Kosovës



Botapress, 7 Dhjetor – Shkruan: Anton Quni

Programi për vlerësimin nderkombëtar i njohur me akronimin PISA, në vitin 2016, nxori në pah shkallën e njohurive të nxënësve 15 vjeçar të Kosovës. Nga 72 shtete pjesëmarrëse ky vlerësim ndërkombëtar, Kosovën e radhit në vendin e 68-të.
Një zyrtar i joni, që ishte përgjegjës për arsimin, sa u përket këtyre gjetjeve u deklarua kështu:
“Kemi shumë nevojë për të përmirësuar në shumë segmente arsimin, fillimisht për të zënë hapin që të jemi të krahasueshëm me shtetet e rajonit. Por, unë jam i sigurt që në vitin 2018, kur t’i kemi rezultatet e para të punës tonë dy vjeçare, ne do të krahasohemime shtetet e Bashkimit Evropian”.
Sot, kur e dëgjoj programin qeverisës, nuk ka si të më bindë premtimi zyrtar se, nxënësit tonë në vitin 2018 do të jenë në hap me moshatarët e tyre të shteteve të BE-së.
15 vjeçaret nuk janë fajtorë për njohuri të dobëta, sepse ata ishin vetëm një mostër, nëpërmjet së cilës u kuptua cilësia e arsimimit tonë, si komb dhe si shoqëri.
Edhe po të ishim marrë ne deputetët, për moster të testimit, mendoj që po të njejtin rezultat do ta kishim, do të na rendisnin në fund të tabeles. Njëjtë do të dilnim edhe me njerëz nga fusha e drejtësisë, shëndetesisë, sigurisë etj.
Cfarë dua të them është se, ne jemi në errësirë, të ngulfatur nga injoranca, por të paguximshëm që ta pranojmë, apo jemi aq të paditur sa që edhe nuk e dimë se nuk dimë. Dhe nëse diku vlenë thënja e Sokratit “di një gjë, se nuk di gjë” tek ne sikur na shkon për shtati; aq t’paditur jemi sa nuk po e dimë që nuk dimë gjë!
Një situatë e tillë në arsim, do të duhej të ndizte alarmin si rreziku ma i madh për shoqërinë dhe shtetin tonë.
Devijimet dhe dështimet që kërcënojnë seriozisht qenijen e kombit, atëherë nevoitet që veprimet dhe masat kundrejt situatës të jenë të studiuara mirë, të guximshme, të shpejta, energjike dhe funksionale.
Zoti Kryeministër, para do kohe me nervozizëm ju drejtove dhe ju sygjerove gazetarëve që t’lexojnë dhe mësojnë më shumë. Jo vetem gazetaret, por të gjithë ne kemi nevojë të mësojmë dhe lexojmë më shumë, por Ju jeni tani përgjegjësi kryesor për krijimin e kushteve për arsimim cilësor në Kosovë. Rinia jonë është vitale dhe e aftë, me të gjitha paradispozitat për të absorbuar njohuri, për të krijuar përvoja, për të hulumtuar zgjedhje racionale dhe për të ndërrmarrur veprime të arsyeshme. Kurse ju, do të duhej të krijoni kushte të favorshme të standardeve të pranueshme për të gjitha nivelet e arsimit.
Ju duhet të ndani para për të ngritur infrastrukturë më moderne, kuadro më profesionale, metoda më efikase, si dhe t’ketë kontrolla dhe inspektim pa kompromis në vazhdimësi. Ju duhet të siguroni që nxënësit dhe studentët të mbahen larg nga krimi, narkotiket, vartesia partiake dhe ideologjitë ekstreme.
Ju duhet të ndërtoni frymën e shëndosh garuese për dituri në mes të universiteteve, kolegjeve dhe shkollave.
Keni shumë punë, prandaj kërkoni ndihmë, mobilizoni akademikët, profesorët, mësuesit, pedagoget, prindërit, që të krijojmë një gjeneratë të ditur e në hap me kohën. Kërkoni ndihmë edhe nga kleriket, se vetem të diturit i kuptojnë mësimet nga librat e shenjtë. Së bashkurikthejeni moralin, vlerat kombëtare, traditën dhe kulturën. Angazho edhe ekspert të jashtëm që rinia jonë të kap hapin e bashkëmoshatarëve të vendeve të BE-së.
Kjo gjeneratë e edukuar dhe e arsimuar mirë, me vlera dhe moral të lartë, do të jetë garancë se munden me i marrë përgjegjesitë për të gjitha proçeset politiko-ekonomike të vendit tonë. Kjo gjeneratë e ditur, e pa ngarkuar dhe e pakomplesuar, me lehtësi do të sigurojnë sundimin e rendit dhe ligjit, zhvillim ekonomik, stabilitet të insitucioneve, integrime euroatlantike, shërbime shëndetësore, siguri, etj.
Kjo gjeneratë do të mund të luftonte krimin e organizuar dhe korrupsionin, nepotizmin, ekstremizmin dhe terrorizmin.
Dhe, krejt në fund kjo do të ishte edhe gjenerata që do të gjykoj drejt të kaluaren tonë, mundin dhe sakrificen e brezave mbi të cilen do ta ndertojmë të ardhmen e Republikës së Kosovës.