.
×

Ja çfarë do të diskutohet në mbledhjen e kryesisë së LDK-së



Botapress, 1 Gusht-Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka vendosur që Kuvendi Zgjedhor i kësaj partie të mbahet më 3 gusht.

Por, deri më tani asnjë prej kandidaturave për kryetar partie nuk është bërë publike dhe çdo gjë po mbahet e fshehtë.E sot nga kjo parti është njoftuar se do të mbahet mbledhja e Kryesisë, në orët e mesditës por pa dhënë detaje të tjera shtesë.

“Gazeta Blic” ka komunikuar me zëdhënësin LDK-së Besian Mustafa, rreth kësaj mbledhje, por ai mohoj se nga aty do të bëhen të njohur për publikun emrat e kandidatëve për kryetar të partisë.

“Ne e kemi me statut të partisë kandidaturat shpallen vetëm me 3 gusht në kuvendin zgjedhor të partisë, ky është takim i rregullt i kryesisë aktuale dy ditë para kuvendit zgjedhor” ka thënë ai.Ndërsa deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Ramiz Kelmendi ka sqaruar me në detaje situatën rreth zgjedhjeve brenda kësaj partie.

Ai theksoi se në këtë mbledhje do të diskutohet mbi ecurinë e kuvendit zgjedhor të LDK-së me datën 3 gusht.“Sot do të diskutohet rreth vazhdimit të organizimit të kuvendit zgjedhor , në mënyrë që të shkojë gjithçka në rregull në kuvend, do të diskutohen të gjitha detajet rreth mundësisë për ndonjë incident të mundshëm që mund ti prishte imazhin e kuvendeve zgjedhore që janë më demokratike në LDK”, ka thënë ai.

Kelmendi, u deklarua edhe për kandidaturat e mundshme për kryetar të kësaj partie.“Kandidaturat sigurisht që janë qartësu goxha shumë, por gjithmonë po kërkohet një lider politik i cili do ta udhëheqë LDK-në dhe vendin në këto kohëra të vështira siç janë bisedimet me Serbinë, liberalizimi i vizave, taksa.

Unë besoj që zoti Mustafa duhet të jetë kandidat dhe do të vazhdojë edhe më tej ta udhëheqë LDK-në deri sa të zgjidhen këto çështje madhore të Kosovës dhe pastaj mund të tërhiqet në çdo moment dhe të bëhet një zgjedhje tjetër”, u shpreh ai.

Ndryshe Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë zgjedhjeve të brendshme në degë dhe nëndegë është përballur me problematike të cilat kanë eskaluar deri në përleshje fizike.