.
×

Iva Tiço: Pëlqej të më dhurojnë libra, më japin varëse…



Një pjesë e pyetjeve të këtij pyetësori janë hartuar nga vetë Iva kur ajo shkruante rubrikën Lexime për revistën Mapo. Tani ajo kthehet në ‘vendin e pyetjeve’ për t’u përballur me rëndesën ose lehtësinë e tyre. Ajo e ‘fshikullon’ veten si vanitoze. E ka ndoshta një formë autoironie… 

Libri më i vjetër që keni në bibliotekën tuaj…iva tico ok

Më të vjetrit janë të viteve ’50, përkthime të autorëve rusë dhe që në shtëpinë time kanë ardhur nga biblioteka e babait.

Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?

Të dyja bashkë. Kryesisht vazhdoj të lexoj letërsi, romane. Zgjedh autorë që i njoh, që më kanë pëlqyer ndër vite por dhe të rinj që m’i rekomandojnë dy-tre miq, tek shija e të cilëve kam besim.

I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?

Ka disa të blerë të dhuruar dy vitet e fundit, që presin në radhë për t’u lexuar. Të jesh prej vitesh gazetare kulture dhe të njohësh e të kesh miqësi me shumë botues, domethënë të kesh fatin të marrësh shpesh dhuratë prej tyre botimet e reja.

Libri i parë që keni lexuar…

Të parin e kam blerë vetë. Domethënë e zgjodha vetë në librari. Sapo kisha mbaruar klasën e parë dhe prindërit vendosën të më çonin aq të vogël në kamp pionieri (vetëm 7 vjeç, tmerr !!!). Më futën rrobat në valixhen e kartonit dhe më thanë që duhej të blija një libër prej vërteti, për ta lexuar në kamp. Me libër prej vërteti kuptonin një libër pa figura, jo si «Keci me katër këpucë» apo «Lepurushja Betë gatuan një ëmbëlsirë», që i dija përmendësh. Dhe unë zgjodha një libër “Çuditë e Zamirit”, jo ndonjë kryevepër e kohës, por me kopertinë me ngjyra të ndezura… Kurse libri i parë, që më ka rrëmbyer të tërën, e që e kam rilexuar pastaj çdo verë sapo mbaronte shkolla, ishte «Dy vjet pushime». Ende ruaj një hartë të ishullit që e kam vizatuar sipas përshkrimeve në libër dhe prej tij dhe gjithë librave të tjerë të Zhyl Vernit që lexova më vonë më ka mbetur ai zakoni, që po u gjenda para një harte, të hutohem me minuta të tëra.

Libri i parë që keni kursyer për ta blerë.

Fati është treguar shumë bujar me mua: nuk më është dashur as fëmijë e as më vonë të heq dorë nga diçka që dua për të blerë libra apo gjëra të tjera. Prindërit më kanë blerë gjithë librat që doja unë dhe që donin ata që unë t’i lexoja, bashkë me gjëra të tjera të moshës. Ndërsa në listën e shpenzimeve të sotme, librat janë ata që kanë çmimin më të ulët, po të krahasohen me lloj-lloj vanitetesh dhe xhinglash.

A keni patur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit?

Po, në fillim në bibliotekën e të vegjëlve, që ishte një dhomëz e vogël sapo hyje në bibliotekën e Fierit. Mbaj mend ende teta Pavlinën që më jepte librat, më shumë se një në javë që lejohej, dhe kam ende në hundë erën e letrës dhe të drurit. Pastaj më është dukur gëzim i madh kur u lejova të shkoja tek sporteli i të rriturve.

Sa shpesh shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?

Dikur shkoja shpesh për të marrë libra që nuk gjendeshin në bibliotekën e tim eti, gjatë viteve të fakultetit kam shfrytëzuar më së shumti bibliotekën e kushëririt të tij Nasho Jorgaqit, ku siç doli gjendeshin libra që ne në Fakultet i kishim «literaturë të detyruar» e që nuk gjendeshin as në Bibliotekën Kombëtare. Nuk e kam frekuentuar kurrë bibliotekën për të studiuar në sallë dhe i  kam humbur lidhjet me të që në kohën e shkollës.

Me kë i ndanit librat kur ishit gjimnazist apo student?

Kryesisht kam ndarë me shoqet librat e mi, pak kam marrë prej tyre. Gjithmonë kam dashur që librat t’i blej dhe t’i kem në shtëpi, për t’iu rikthyer herë pas here dhe jo t’i marr sa për t’i lexuar.

I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe me ndërgjegje nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër dhe përse? 

Më shumë se një herë. Kur isha studente i kam rënë më qafë edhe bibliotekës së xhaxhait, ku kam gjetur libra që ai nëpër vite kishte ‘zgrapur’ në bibliotekën e tim eti. Unë pastaj me vetëdije kam zgrapur nga të dy, por edhe nëpër miq. Aktin e fundit të tillë e bëra rreth një muaj më parë, me një botim të fundit të viteve ’80. Sigurisht që nuk e them cilin, sepse do të ma kërkonin mbrapsht.

Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?

Po. Disa ende i mbaj mend kush m’i ka marrë dhe i kërkoj herë pas here, të tjerë i kam riblerë.

A lexonit dikur libra të ndaluar? Mund të na përmendni disa tituj dhe si i siguronit?

I përkas atij brezi që ka pasur fatin që «autorët e ndaluar» t’i shihte të përkthyer e botuar në fillim të viteve ’90, kur dhe erdhi mosha e duhur për t’i lexuar e kuptuar. E vetmja keqardhje është që kur kam lexuar vitet e fundit romanet e Jane Austin apo Emily Bronte, kam menduar se sa do më kishin shijuar t’i lexoja diku aty nga klasa e gjashtë apo e shtatë. Do kishin qenë një revolucion i vërtetë, po të ishin botuar që atëherë, siç ishte «Shtëpia e Shpirtrave» e Izabel Ajlendes në fillim të klasës së tetë.

Dhurimin e librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhnit vetë?

Është një dhuratë që e bëj shpesh, por që nuk para ma bëjnë. S’di pse më dhurojnë varëse (dhe unë s’i mbaj fare varëset). Ndoshta sepse të gjithë ata që më bëjnë dhurata e dinë që unë i blej vetë të gjithë autorët që dua ose që shtëpitë botuese më dhurojnë shpesh dhe kështu nuk rriskojnë të më sjellin një libër që mund ta kem… E vetmja që më dhuron rregullisht libra është një mikeshë që është studente në Itali: më ka sjellë disa vëllime shumë, po shumë luksoze me jetën e aktoreve të preferuara apo botime fashion.

Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ?

Vetëm shtrirë, në kurriz dhe anash. Thuhet se është zakoni më i keq për sytë, por mua nuk më ka ndodhur asgjë.

Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?

Në italisht dhe në anglisht. Kryesisht romane të lehta, nga ato që njihen me emrin chick lit.

Çfarë po lexoni këto ditë?

«Ferri» i Dan Brown, në çantën e pishinës për paraditeve dhe «Shtëpia e Heshtjes» i Orhan Pamuk, në komodinën në dhomën e gjumit.

Mbani shënime kur lexoni?

Kurrë. Vijoj të kem maninë për ta mbajtur pastër librin, plus që shënimi më duket shumë intim, gati-gati si ditar dhe s’do doja të ma lexonin të tjerë. Sepse kur nënvizojmë diçka në një libër, e bëjmë për ato pjesë që na duket sikur i kemi shkruar vetë.

Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shënjoni një autor që ju pëlqen, lexoni gjithçka të tij apo vetëm librat më përfaqësues?

Më vjen keq që s’e kam gjetur ende poezinë. Apo më saktë akoma e kam gjetur dikur dhe e kam humbur gjatë rritjes, me mprehjen e cinizmit, sidomos vitet e fundit. Ndoshta e rigjej më vonë, shpresoj që mosha e cinizmit nuk do zgjasë përgjithmonë. Kur gjej një autor që më pëlqen, dua të lexoj gjithçka prej tij, edhe pse mund të më zhgënjejë në disa libra. Fakulteti i Gjuhë-Letërsisë ndërkohë më ka kalitur durimin për t’u shkuar deri në fund edhe librave që s’më ‘ngjisin’.

Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?

Nuk mund të japësh këshilla leximi për të gjithë. Kush jam unë t’u them atyre që s’njoh, kjo bën e kjo s’bën?! Madje e kam bërë këtë debat edhe me miq apo ish-pedagogë të mitë që nuk ngurrojnë të shprehen edhe në shtyp kundër ‘librave të verës’, bestseller-ave, apo atyre që quhen romane të lehtë. Nëse një grua, apo dhe mami im, kërkon të lexojë  Daniele Still apo Sveva Casatti Modigliani-in, unë s’mund t’i them që ky libër s’bën dhe nuk quhet po nuk lexoi “Emrin e Trëndafilit”. Më mirë është të lexosh autorët best seller, sesa të mos lexosh fare, dikush që lexon për dhjetë net rresht një ‘libër të lehtë’, kur ta mbarojë do kërkojë të lexojë një tjetër… Kështu pak nga pak do ketë autorët e vet të preferuar, do edukojë vetë shijen e tij të leximit.

A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?

I binte të ishte një libër që do i nxirrte të gjithë të tjerët jashtë përdorimit? Domethënë që, nëse lexon atë, i bie t’i kesh lexuar të gjitha?! Sa mirë që nuk është shpikur, do ishte Antilibri.

Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi, cilët do ishin?

Do t’i futesha punës për të shkarkuar në iPad (që deri tani e kam përdorur vetëm për të luajtur), gjithçka të shkruar.

Na thoni një maksimë për librat që e mbani mend ose e përsërisni shpesh…

Po citoj më mirë një pjesë nga “Hija e erës”: “… se leximi është një art që po vjen duke u shuar dhe librat janë si pasqyrat, ku gjejmë vetëm atë që kemi brenda nesh, se leximi përfshin mendjen dhe zemrën, dy sende që po bëhen gjithmonë e më të rralla”.

Na thoni një varg të preferuar poezie…

“Yet each man kills the thing he loves”, Oscar Wilde.

Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar?

Kanë ndryshuar nëpër vite. Dikur ishte Briani i “Dy vjet pushimeve”, Piter Panin e urreja kur isha më e vogël, kur doja të rritesha dhe e dashurova kur u rrita. Tek “Të mjerët” dikur më pëlqente Kozeta, tani Zhan Val Zhani, dikur tek “Harku i Triumfit”, doja Ravikun, tani dua Xhoanën… Nuk ka ndryshuar kurrë dashuria për Hakëlberi Finin e Tom Sojerin ashtu si për Irenë Forsajtin, ndryshe nga Ana Karenina që ende s’kam arritur ta dua… Kurse në leximet e fundit ka libra që i dua pa ndonjë lidhje të veçantë me personazhin, por thjesht për mënyrën se si janë ndërtuar. Më i dashuri ndër ta është “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën”, i Amos Oz, që përveç njëqind gjërave të tjera më magjeps me mënyrën se si autori e thyen kohën dhe i sjell historitë rreth një ngjarjeje, vetëvrasjes së të ëmës, të cilën e rrëfen veç në faqen e fundit. Veç të tjerave, kjo e bën për mua një shkrimtar të madh, mjeshtëria e rrëfimit të ngjarjeve jo në rend kronologjik.

Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekën tuaj?

“Ivës, emrit që mungon…”.