.
×

Ish-presidenti Fatmir Sejdiu përkulet para varrit të presidentit historik Ibrahim Rugova



Ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu së bashku me bashkëshorten Nezafete Sejdiu vendosën kurorë lulesh dhe bënë homazhe pranë varrit të Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, me rastin e nëntë vjetorit të vdekjes.

Me këtë rast, Sejdiu tha se Presidenti Rugova, është një personalitet i rrallë që ka pasur Kosova.

“Jam këtu sot, që të shpreh dhembjen dhe përkujdesjen time të veçantë për një personalitet të rrallë që e ka pasur Kosova, për Presidentin Rugova. Sot, kur mbushen nëntë vite pa prezencën fizike të Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, kujtojmë luftën dhe sakrificën e tij prej intelektuali e prijësi, kujtojmë veprimtarinë politike dhe atdhetare si njeri i jashtëzakonshëm i dijes”, tha Sejdiu.

Sejdiu tha se vizioni i Presidenti Rugova ishte vizion i qartë dhe i palëkundshëm, në luftën e drejtë për liri, pavarësi dhe demokraci.

“Vizioni i Presidentit Rugova, si prijës shpirtëror dhe real ishte vizion i qartë në luftën e pakompromis për liri, pavarësi dhe demokraci. Si vizionar i kalibrit unikal, Presidenti Rugova me urtësinë dhe këmbëngulësinë e vazhdueshme, durimin dhe guximin e tij, ishte dhe mbeti i palëkundshëm për Pavarësinë e vendit”, vijoi Sejdiu.

Roli i Presidentit Rugova, në ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe të zhvillimeve tjera politike, ka domethënie të madhe historike për Kosovën dhe shqiptarët.

“Presidenti Rugova është gurë themeltar në ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe të zhvillimeve tjera politike dhe si i tillë mbetet i pazëvendësueshëm dhe me domethënie të madhe historike për Kosovën dhe shqiptarët”, tha presidenti Sejdiu