.
×

Ish-Kryenegociatori serb Stefanoviç: Kosovës nuk i duhet njohja e Serbisë



Skenarët e fundit të përmendur nga presidentët Thaçi e Vuçiq, për mundësinë e korrigjimit të kufijve ose ndarjen e Kosovës, janë kundërshtuar fuqishëm nga opozita në Serbi.

Borko Stefanovic, ish-kryenegociatori serb në Bruksel, ka thënë për emisionin Udhëve në RTK, se askush në Serbi nuk e ka idenë se cka janë duke bërë Thaci e Vuciq në Bruksel.

“Këtu z. Vuçiq flet hapur për këtë temë, e cila ka trazuar publikun, kisha e kundërshton fuqishëm, të njëjtën kohë edhe opozita është kundër,  madje edhe OJQ-të janë kundër.  Askush nuk flet më për Asociacionin e Komunave Serbe, askush nuk flet më për ulësen e Kosovës në OKB pa njohjen e pavarësisë së Kosovës, kështu që këto tema janë lënë anash me plot kuptimin e fjalës. Kështu që vërtet askush nuk e di se çfarë propozimi do t’i paraqitet publikut serb. Ajo që e dimë është se z. Vuçiq dhe qeveria e tij do ta vënë këtë propozim në referendum, dhe kjo do të thotë se njerëzit do ta kenë një shans për të vendosur për diçka për të cilën nuk dinë asgjë, nuk dinë asnjë hollësi, nuk e njohin asnjë argument kundër asaj zgjidhjeje, çfarëdoqoftë ajo zgjidhje.” – ka deklaruar Stefanovic për RTK-në.

Tutje, Stefanovic ka shtuar se Kosova nuk ka fare nevojë për njohje të pavarësisë nga Serbia, duke thënë se ka prioritete tjera.

“Në thelb Kosova nuk ka nevojë për njohje të pavarësisë nga Serbia, nëse e shikoni pa emocione, pa zjarr nacionalist në gjokset tona, Kosova nuk ka nevojë për këtë njohje. Ajo që vërtet i nevojitet Kosovës është punësimi, jeta më e mirë, ekonomia më e mirë, si pjesa tjetër e Serbisë.” – ka shtuar ai./BP/