.
×

Ish-eprori i UÇK-së: Edhe po të dënohen komandantët nuk më dhimbsen, ja “tradhtari” që e solli Gjykatën Speciale



Prokuroria Speciale për Krime Lufte në Kosovë sot në Hagë fillon intervistimin e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tashmë, Rrustem Mustafa dhe Sami Lushtaku, ish-komandantë të UÇK-së, janë në mesin e të parëve që do të merren në pyetje këtë javë.

Por, Gjykata Speciale konsiderohet e pa drejtë ndaj popullit shqiptar të Kosovës, pasi që po amnistohet Serbia.

Kështu vlerëson, ish eprori i lartë i UÇK-TMK, njëherit ish anëtar i SHIK, Naim Miftari.

Miftari thotë se, Gjykata Speciale nuk do të sjellë turbulenca politike pasi do të ketë të ftuar nga të gjitha partitë politike.

Sipas tij, lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe kjo gjykatë s’mund ta njollosë atë, e gjithashtu thekson se fajin për formimin e Gjykatës Speciale e bartë mbi supe Presidenti Hashim Thaçi, pasi sipas Miftarit, ai po tenton t’i ikë dënimit duke sjellë “gjykata nga Serbia e Rusia”.

“Hashim Thaçi e çarmatosi dhe tradhtoi UÇK-në me marrëveshjen K90, vrau komandantët kryesor të luftës, dhe ata komandantë që mbeten gjallë sa mu pasuruar pas luftës i dërgoj vet në burgun e Hagës”, shprehet Miftari.

“UÇK-ja, pra luftëtarët tanë të lirisë kanë bërë luftë të pastër si loti në rrethanat se si ka luftuar. Por këtë zotërinjtë “gjeneralët” që për një cigare paguajnë 60 euro kur Kosovën e ka kapur varfëria, padrejtësia e izolimi, këtë varfëri e skamje që e kanë sjellur pikërisht vet disa nga këta zotërinjtë “gjeneralët” milionerë, prandaj sot edhe po i dënuan edhe po i liruan nuk është që më dhimbsen. Sot këta janë multi milionerë, kurse më parë nuk kanë pasur asgjë para derës, profiterët që pas luftës nuk kanë lanë dy gur pa i lëvizur, kanë vjedhur e plaçkitur”, shprehet Miftari për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, UÇK-së, nuk i duhet mbrojtja fare nga “hajnat, kriminelët”.

“Pra, këta nuk kanë lanë të zezë pa bë gjatë dhe pas luftës dhe gjithmonë janë fshehur prapa emblemës së shenjt të UÇK-së edhe pse realisht kurrë në jetën e tyre nuk kanë qenë luftëtarë të luftëtarë të njëmend të lirisë, por kanë qenë luftëtarë të ikjeve epike nëpër hotelet luksoze ndërsa trimëri e kanë patur për vjedhjen e fondeve të luftës, spiunimin dhe vrasjen e komandantëve të UÇK-së, përçarës të rezistencës dhe profitera të luftës dhe lirisë”, shton ai.

Miftari thekson se, fillimi i Gjykatës Speciale nuk do bëj shumë turbulenca politike pasi të gjitha partitë kryesore do të dëmtohen nga pak.

“Lufta çlirimtare e UÇK ka qenë luftë e pastër si loti dhe duhur në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. UÇK nuk ka bërë krime të luftës aty s’ka dilemë, por gabimet tonat janë që përfundojnë edhe raste të pakta edhe me vrasje por janë raste individuale me përgjegjësi individuale”, pohon ai.

Miftari deklaron se, Gjykata Speciale është e padrejtë dhe selektive pasi amniston kriminelin e Ballkanit pra, amniston shtetin serb.

“Kjo gjykatë e pa drejt u sjell nga BE duke dashur ta joshin shtetin serb në BE që ta mbajnë larg Rusisë, kjo gjykatë u sjell pasi në Kosova nuk bëmë vet një shtet juridik ku do sundonte ligji dhe vetëm ligji ku çdo vrasje e pajustifikueshme e kujtdo qoftë shqiptarit apo e serbit apo e kushdo qoftë do ndjekej dhe do gjykohej pa mëshirë. Mungesa e një gjykate speciale për krime lufte na ka kushtuar shumë dhe presidenti Hashim Thaçi dhe kompania rreth tij mbajnë barrën kryesore për dështimin e shtetit tonë, dështimin e ligjit e gjyqtarëve të Kosovës edhe kontrabandimin, edhe votimit për këtë gjykatë ka vulën e presidentit tonë duke dashur ti ik vet dënimit z. Thaçi është në gjendje të sjell edhe gjykata tjera ndërkombëtare edhe nga Rusia apo Beogradi”, ka thënë Miftari.

Ai thekson se, ka krime të kryera nga individë, mirëpo kjo nuk do të thotë që ata përfaqësojnë UÇK-në dhe ta njollosin atë me krimet e tyre.

“Kosova nga pas lufta sundohet nga krimi i organizuar politik, thirrja e komandant Remit dhe e disa tjerëve që do arrestohen dhunshëm po nuk shkuan vet edhe pse besoj se çdo pjesëtar i UÇK do t’i përgjigjet pozitivisht gjykatës dhe kjo gjykatë do të dështoj ta njollosë luftën tonë çlirimtare.

Nuk e them se Remi e shumë Rema tjerë multimilioner të pas luftës janë të pa fajshëm që janë sot shumica politikan të korruptuar profiter që luftën çlirimtare dhe politiken e shfrytëzuan vetëm për t’u pasuruar jo ndershëm dhe jo ligjërisht. Këta njerëz që e kanë kthyer mbrapsht vendin tonë sot e ia kanë humb shpresën vendit tonë vendin e kanë në gjykata dhe nëpër burgje por në gjykata dhe burgje të Kosovës që fatkeqësisht sot nuk i kem të lira pasi shteti- drejtësia është e kapur nga milionerët e krimit të organizuar që disa janë ish komandantë të luftës si nga Llapi, Drenica, Dukagjini e nga tërë Kosova dhe meritojnë burg, por jo nga prokurorët e huaj po ashtu të korruptuar politikisht që qëllimin e kanë vetëm ta dëmtojnë shtetin e Kosovës, ekzistencën e shtetit tonë.

Pasi dihet shumë mirë e din edhe ndërkombëtarët se krimet e mundshme të UÇK janë minimale dhe fëmijërore nëse i krahasojmë me krimet, vrasjet, dhunimet, djegiet, humbja e kufomave shqiptare, pastrimi etnik i Kosovës i bërë nga shteti Serb, ushtrisë, policisë, njësive paramilitare, dhe shërbimit sekret Serb kundër shqiptarëve autokton. Prandaj, kjo gjykatë është anti shqiptare selektive dhe jo e drejt, por fajin e kemi vet se kemi kriminel që e udhëheqin shtetin nga pas lufta gjer sot”, është shprehur Miftari.