.
×

Isa Mustafa: Me Kurtin takohemi në fund të javës, pas certifikimit më shpesh



Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do të takohen në fund të kësaj jave. Liderët e të dyja partive do të takohen për të shikuar deri ku ka arritur harmonizimi i Programit Qeverisës për të cilin deri më tash janë takuar Grupet Punuese të këtyre dy partive.

Para dy javësh është mbajtur takimi i fundit i Grupeve Punuese të LDK’së dhe VV’së për bisedimet në përafrimin e programit të përbashkët qeverisës.

Tashmë, ka mbetur të mbahet edhe një takim në mes të krerëve të këtyre dy partive, Isa Mustafës së LDK’së dhe Albin Kurtit të VV’së.

E ky takim pritet të ndodh në fund të kësaj jave. Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express, i pari i LDK’së, Isa Mustafa.

Mustafa ka thënë se bashkë me Kurtin do të vlerësojnë se ku është arritur harmonizimi i Programit Qeverisës.

“Me z. Kurti, jam marrë vesh të takohemi në fund të javës. Do të vlerësojmë bashkërisht se ku është arritur me harmonizimin e Programit Qeverisës si dhe për disa çështje që i paraprijnë marrëveshjes për Qeveri”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka theksuar se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit, do të ketë takime me të shpeshta me kreun e Vetëvendosjes.

“Sigurisht se, posa të certifikohen rezultatet zgjedhore do të vazhdojmë të takohemi së bashku edhe me ekipet tona për të biseduar mundësinë e ndarjes së përgjegjësive në qeverisjen e ardhshme”, ka thënë Mustafa.

Ndërkaq edhe Kurti e ka përmendur takimin me Mustafën. Ai ka thënë se kjo do të ndodhë para certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

“Së pari me siguri do të takohemi para certifikimit të rezultatit me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën, së dyti mbi 80 për qind është harmonizuar programi qeverisës VV-LDK, së treti jemi dakorduar që me insistim do të synojmë vetëm 12 ministri, më së shumti nga dy zëvendësministra për ministri dhe së paku 30 përqind gra ministra dhe vetëm pas harmonizimit të plotë programor për mandatit tonë qeverisës me një dokument shumë faqesh, ne do ta bëjmë edhe ndarjen e përgjegjësive në ekzekutiv por kjo është pjesa më e lehtë e punës, se më e vështira tashmë e kemi kaluar, e ky është harmonizimi programor”, ka thënë Kurti të mërkurën.

Mustafa dhe Kurti ishin takuar katër ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 tetorit. Ata u takuan me 10 tetor, e pas këtij takimi patën folur për media kandidatja e LDK’së për kryeministre, Vjosa Osmani, dhe Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK kanë nisur takimet për të harmonizuar programet qeverisëse pavarësisht se zgjedhjet nuk janë certifikuar. Janë marrë vesh për Qeverinë me 12 ministri e 26 zëvendësministra. Por, ende s’kanë folur për pozitat dhe ndarjen e Ministrive.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, VV ka dalë e para me rreth 25 për qind të votave pasur nga LDK dhe e treta PDK. Partia e katër ka dalë AAK’ja.

Certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve nuk ka përfunduar ende, pasi deri më tani shumica e vendvotimeve janë rinumëruar.

Procesit të rinumërimit së fundmi i janë nënshtruar edhe mbi 1 mijë e 400 vendvotime, nga të cilat janë rinumëruar 904 dhe kanë mbetur 504 të tjera.